Nga Aurenc Bebja*, Francë
“American Junior Red Cross Neës” ka botuar, në nëntor të 1930, në faqet n°62 – 63, letrën e Mehmet Shehut dërguar asokohe nxënësve të një shkolle në Virxhinia (SHBA.), të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
“Njeriu nuk është e vetmja kafshë inteligjente”
Një treg dhish në Tiranë, Shqipëri. Ka shumë të ngjarë që disa nga dhitë e Mehmetit janë shitur pikërisht në këtë treg — Burimi : American Junior Red Cross Neës, nëntor 1930, faqe n°62 – 63
Një treg dhish në Tiranë, Shqipëri. Ka shumë të ngjarë që disa nga dhitë e Mehmetit janë shitur pikërisht në këtë treg — Burimi : American Junior Red Cross Neës, nëntor 1930, faqe n°62 – 63
Mehmet Shehu, student në Shkollën Profesionale Shqiptare (Albanian Vocational School) në Tiranë, shkroi një letër për një album të destinuar për një shkollë në Virxhinia, duke rrëfyer jetën e një bariu të ri shqiptar. Disa nga aventurat e tij të kujtojnë delen e humbur të Xhinos në historinë e Miss Upjohn.
“Të dashur shokë,
Unë mendoj se mund t’ju interesojë të dini për jetën e një bariu të ri shqiptar. Disa vite para se të vija në këtë shkollë kam qenë bari. Në shtëpinë time kishim rreth 150 dhi. Unë dhe kushëriri im duhej të kujdeseshim për to. Kur ai ishte i zënë me diçka tjetër, më duhej të qëndroja vetëm me tufën time në pyllin e madh gjatë ditës. Kishim ndërtuar dy stane për to. Njëri ishte afër shtëpisë dhe tjetri rreth një orë në këmbë. Kopenë e kemi mbajtur në stanin më të largët nga vjeshta deri në kohën e lindjes në shkurt. Pastaj i çuam në stanin afër shtëpisë. Ne kishim tre qen me vete. Gjatë ditës e lidhnim qenin e madh me zinxhir në stan. Dy të tjerët vinin me tufën në pyll, duke vrapuar përpara tyre.
Një muaj dhjetori ra një borë e madhe. Filloi gjatë natës. Unë dhe kushëriri im ishim në kasollen tonë dhe kopeja në strehën e tyre. Zbardhi dita dhe binte ende borë. Vazhdoi deri në orën dhjetë të mëngjesit, bora kishte arritur një thellësi prej rreth gjashtëmbëdhjetë inç. Kishim mjaft dru të thatë për të ndezur zjarr, por prindërit tanë ishin të shqetësuar për ne dhe për tufën. Secili pronar tokash punëson një fermer kryesor. Pas pak, dëgjuam zërin e fermerit që na thërriste. Ai kishte hipur në pelën tonë dhe na kishte sjellë ushqim. Na tha ta çonim kopenë në shtëpi. Nuk e dallonim rrugën, por fermeri ynë hipi në pelë dhe na tregoi rrugën. I hoqëm këmbanat e mëdha nga qafa e cjapëve dhe ato ndoqën gjurmët e pelës. E gjithë tufa, në një rresht, ndiqte cjapët. Nga stani në rrugën kryesore zakonisht kalonim gjysmë ore në këmbë, por atë ditë na u deshtën dy orë. Për katër orë arritëm në shtëpi. Ishte shumë ftohtë. Ne e çuam kopenë në stallat e tyre dhe i vendosëm ato që ishin të dobët dhe që dridheshin pranë zjarrit. Ky ishte një dimër i ashpër dhe kur erdhi koha e pjellave, shumë nga të vegjëlit ngordhën. Kjo na bëri të pendoheshim, jo sepse do të humbnim fitimet, por sepse një bari e do vërtet kopenë e tij.
Ujqërit shkaktuan dëme të mëdha atë dimër. Një natë e kishim çuar kopenë në stan. Ne ishim duke fjetur në kasollen tonë. Të tre qentë ishin lëshuar. Nata ishte tepër e errët. Një ujk arriti të futet në një nga stanet dhe kapi një kec nga fyti. Keci blegëronte dhe qentë lehnin, por nuk kishin se si të hynin. Kushëriri më zgjoi dhe të dy vrapuam te dera. Kushëriri im hapi derën dhe qeni i madh hyri brenda. Qeni dhe ujku u përplasën në fyt me njëri-tjetrin dhe keci u shpëtua. Ujku nuk e mbajti dot veten me qenin dhe kështu u hodh mbi gardh dhe iku. Tre qentë e ndoqën atë për një kohë të gjtatë. Pas asaj nate, asnjë ujk nuk sulmoi më tufën tonë, por ata sulmuan tufat e të tjerëve. Jam i sigurt se ujqërit e dinin që qentë tanë ishin shumë të fortë për ta.
Disa dhi fshihen kur pjellin. Një mëngjes isha afër një pylli duke u kujdesur për një dhi e cila ishte gati për të pasur një kec. Kushëriri im ishte me kopenë. Dy të rinj nga fshati im ishin duke gjuajtur pranë meje. Njëri nga qentë hasi në një strofull derrash të egër. Ishin nëntë derrkucë të rinj, dosa dhe derri. Derrkucët vrapuan drejt meje. U tremba dhe u ngjita në një pemë të re. Aty sipër nuk u tremba, sepse e dija që tufat e derrkucëve nuk mund të më arrinin. Pas pak derrkucët u larguan. Dhia, të cilën e ruja, kishte frikë dhe ishte larguar. Nuk e gjeta dot. Kushëriri im shkoi ta kërkonte dhe unë qëndrova me kopenë, por nga frika e derrave, ngjitesha nga një pemë në tjetrën, në të njëjtën kohë duke u përpjekur të rrija me kopenë time. Ishte një kohë terrori për mua. Kushëriri im gjeti dhinë që kishte lindur një kec.
Disa dhi nuk i duan të vegjëlit e tyre të parë dhe nuk i lënë të thithin gjirin. Këto dhi i lidhëm në qafë dhe i lamë kecat që t’i thithin; dhe gjatë natës i mbajtëm vogëlushët pranë zjarrit në kasollen tonë. Kishte edhe disa vogëlushë, nënat e të cilëve kishin ngordhur. Ne u mundësuam që të thithnin gjinjtë dhive të tjera. Një pjesë e stanit u nda për dhitë me të vegjëlit e tyre.
Në shtator, ne mbjellim arat tona me tërshërë. Këtu dhitë kullosin pasi kanë pjellë kecat. Kur të vegjëlit rriten pak, ata ndahen nga nënat e tyre gjatë ditës. Kur nënat e tyre kthehen, ata kërcejnë lart e poshtë dhe blegërojnë nga gëzimi i madh, sepse mund të qëndrojnë me nënat e tyre gjatë natës.
Dhitë tona pjellin në shkurt. Në datën 12 prill i mjelim një herë në ditë, në mbrëmje. Pastaj vogëlushët lihen të lirë të takojnë nënat e tyre. Dhitë nuk i mjelim tërësisht, sepse lëmë pak qumësht për kecat. Gjatë ditës, vogëlushët çohen në shkurre të vogla dhe fillojnë të përtypin gjethe, duke marrë pak lëngje ushqyese, por pjesën më të madhe të kohës ata e kalojnë duke kërcyer dhe duke luajtur në shpatet e argjilës. Sa mirë është të shohësh vogëlushët duke luajtur ! Pasi të rriten mjaftueshëm, mund të hanë gjethe dhe nuk kanë më nevojë për ushqimin e nënës së tyre dhe ne i heqim nga gjiri. Ata lihen të lirë me nënat e tyre në gusht kur kanë harruar thithjen e qumështit. Gjatë kësaj kohe i mjelim dhitë dy herë në ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje. Në verë, ne i nxjerrim kecat dhe dhitë nga strehëzat e tyre në natyrë. Kur është shumë vapë në mesditë, kopetë i çojmë në hije. Në mbrëmje, dhitë i mjelim dhe pastaj futen në pyll. Ato kullosin gjatë natës. Në mesnatë, ato mblidhen dhe shtrihen për rreth tre orë. Pastaj ato përsëri fillojnë të kullosin derisa dielli, në gjuhën e dhisë, të jetë rreth katër shkopinj mbi horizont. Më pas i mjelim dhe i çojmë sërish në vende me hije, ku pinë e pushojnë. Vogëlushët në një tufë të veçantë i çojmë në pyll në mbrëmje.
Ne kishim një dhi të zezë të përkëdhelur. Ishte shumë e butë. Kur e thërrisnim, ndërsa kulloste, vinte menjëherë dhe na tregonte të gjitha shenjat e dashurisë. Një nga qentë tanë e kishte zakon të shkonte tek çdo dhi dhe të hiqte pleshtat e saj. Kur një dhi thërriste për qenin, ai shkonte tek ajo dhe fillonte ta pastronte.
Dy vite më parë, pavarësisht trishtimit të qenve tanë, shitëm dhitë dhe blemë dele. Gjatë javës së parë, kur qentë hynë në pyjet ku kishin qenë më parë, ulërinin nga pikëllimi për dhitë e tyre. Sa keq më erdhi për ta, sepse prej kohësh ishin mësuar me dhitë dhe u mungonin shumë; por sot kujdesen për delet, me besnikëri, por jo me dashurinë që treguan për dhitë.
E di që anekdotat e mia do të ngjallin buzëqeshje të dyshimta, por bëhu bari dhe jeto me kafshët, dhe atëherë edhe ti do të mësosh se njeriu nuk është e vetmja kafshë inteligjente dhe as i vetmi që është i sjellshëm dhe i dobishëm me të tjerët.”
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania