SPAK ka njoftuar këtë të hënë përfundimin e hetimeve për dosjen e Bashkisë Fushë-Arrëz, që ngarkon me përgjegjësi penale ish-drejtuesin e saj Fran Tuci.
Ish-kryebashkiaku, së bashku me ish-administratorin e njësisë Iballë, Ndoc Marku dhe administratorin e një firme private, Durim Margjekajn akuzohen për dëmtimin e një pylli, në mënyrë që ti hapnin rrugë ndërtimit të një aksi rrugor pa leje.
Prokuroria e Posaçme bën me dije se ka arritur të provojë se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, Tuci dhe Marku kanë shkaktuar gati 2,2 milionë euro dëm, duke shpyllëzuar fondin pyjor në pronësi të Bashkisë Fushë-Arrëz.
“Me veprime dhe mosveprime të kundërligjshme të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë dëmtimin e rëndë (vlerësuar në 234,007,500 lekë) të pasurisë së llojit “fond pyjor” dhe terrenit përkatës, regjistruar në zyrën kadastrale në emër të Bashkisë Fushë Arrëz“, thuhet në njoftimin e SPAK.
Sakaq biznesmeni Durim Margjekaj, në cilësinë e administratorit të firmës “Legjendari” sh.p.k. “me dashje të plotë dhe të drejtpërdrejtë ka kryer punime ndërtimi infrastrukture pa lejen përkatëse duke sjellë pasoja të rënda në pasurinë e llojit “fond pyjor” në pronësi të bashkisë Fushë Arrëz”.