Në Shqipëri do të strehohen të paktën 2 mijë afganë, ata janë bashkëpunëtorë të ushtrive të NATOS dhe po largohen prej andej bashkë me familjet e tyre, raporton Top Channel
Burimet të besueshme i thanë Top Channel se janë duke u parë hotelet në Durrës nëse kanë vende të lira. Një pjesë e madhe janë plot me pushues. Ndërsa në Tiranë është duke u kontrolluar kapaciteti i konvikteve të universiteteve dhe shkollave të mesme. Një pjesë e madhe e afganëve do të qëndrojnë përkohësisht në godinat e qytetit studenti, ose në konviktet e tjera në kryeqytet.
Ndërkohë që, në aeroportin e Kabulit avionët janë duke u mbushur me afganë që po largohen me shpejtësi pasi talebanët morën kontrollin e Afganistanit.
Shqipëria dhe Kosova ju përgjigjën menjëherë thirrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar afganët që rrezikojnë jetën në Afganistan.
Sekretari i shtetit Blinken tha sot se rrugët dhe aeroportet duhet të qëndrojnë të hapura për ata që po ikin nga Afganistani. Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka bëri një koment pas deklaratës së Blinken duke thënë se Shqipëria është e gatshme të presë disa qindra persona jeta e të cilëve kërcënohet.
“Ne qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë, të gatshëm për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e tyre”, shkruan Xhaçka. Por afganët do vendosen edhe në Kosovë dhe qeveria e Kosovës dhe presidentja Osmani dhanë menjëherë miratimin pas kërkesës amerikane.