Përballë rishfaqjes së pandemisë së COVID-19, vendet europiane kanë vijuar me ashpërsimin e masave kufizuese, veçanërisht në Francë ku disa qytete, përfshirë Parisin, rreth 20 milionë banorë do t’i nënshtrohen një shtetrrethimi.
Irlanda është vendi i radhës që ka shtrënguar masat parandaluese për koronavirusin. Nga mesnata e sotme në qarqet Donegal, Monaghan dhe Cavan, të cilat kanë rreth 300 000 banorë, do të mbyllen dyqanet jo bazike së bashku me palestrat, pishinat dhe qendrat rekreative. Për më tepër, vizitat midis familjeve në shtëpi dhe madje edhe në kopsht do të ndalohen në të gjithë Irlandën.
Qeveria e Irlandës së Veriut vendosi dje të mbyllë pub-et dhe restorantet për katër javë, të forcojë kufizimet në tubimet shoqërore dhe të zgjasë pushimet e shkollës si një masë për të parandaluar rritjen e mëtejshme të rasteve të reja. Kryeministri irlandez se “virusi nuk i kushton vëmendje kufijve” dhe bëri thirrje për “bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm veri-jug” kundër pandemisë. Dje ishin regjistruar 1 095 raste të reja, numri më i lartë në një ditë të vetme.
Rekord në Gjermani
Autoritetet shëndetësore gjermane regjistruan 6 638 raste të reja të Covid-19, një rekord i ri që nga fillimi i pandemisë në mars. Ka pasur 33 vdekje në 24 orët e fundit. Numri i rasteve të reja është rritur ndjeshëm nga 5 132 të mërkurën, kur vdekjet ishin 40, sipas të dhënave nga Instituti Robert Koch. Deri tani, Gjermania ka regjistruar 341 223 infeksione të konfirmuara dhe 9 710 vdekje, ndërsa të shëruar janë 284 600.
Kthimi i sëmundjes në Kinë
Infeksioni Covid-19 është rikthyer në Kinë. Në Qingdao janë regjistruar viktimat e para. Partia Komuniste lokale pezulloi drejtorin e komisionit komunal të shëndetit, Sui Zhenhua, pas shfaqjes së një shpërthimi në qytet, ku po testohen mbi nëntë milion banorë të qytetit. Sui u hetua dhe të njëjtin fat pati edhe zëvendëssekretari i Partisë Komuniste, Deng Kai, i cili u hoq nga detyra.
Deri më tani, trembëdhjetë raste të reja janë konfirmuar në qytetin kinez. Shpërthimi pasoi javën e festës për themelimin e Republikës Popullore të Kinës, në të cilën qyteti u vizitua nga 4.47 milion turistë, sipas të dhënave të qeverisë kineze. Deri më tani, ka 85 622 të infektuar nga Covid-19 në Kinë që nga fillimi i epidemisë, ndërsa vdekjet totale mbeten në 4 634.
Plani i të moshuarve në Japoni
Përhapja e Covid-19 vazhdon të shtojë gjithnjë e më shumë ankthin dhe frikën edhe në Japoni. Qeveria metropolitane e Tokios synon të financojë një program për të kufizuar mundësinë e infektimit të më të moshuarve, të cilët, megjithëse kanë rezultuar negativë për virusin, vazhdojnë të jetojnë në kontakt të ngushtë me një person të infektuar. Programi parashikon pritjen e të moshuarve që nuk janë bartës, të cilët shpesh jetojnë të izoluar në shtëpitë e tyre, duke siguruar lehtësira të përshtatshme dhe ndihmë të rregullt.
Sipas planit, komunat do të koordinojnë transportin e qytetarëve dhe kujdesin e nevojshëm përmes mbështetjes së personelit të kualifikuar. Qeveria ka caktuar një fond prej 10 milion jen (80 000 euro). Të mërkurën, Tokio raportoi 177 infeksione ndërsa në nivel kombëtar, rastet janë 552. Deri më sot, në Japoni numrat e pandemisë mbeten shumë nën vlerat mesatare të vendeve perëndimore, me një total prej 90 818 infeksionesh dhe 1 659 vdekje.
Konspiracioni në Zelandën e Re
Dy ditë para zgjedhjeve në Zelandën e Re, Facebook vendosi të bllokojë faqen e partisë AdvanceNZ, e akuzuar për ndjekjen e teorive të konspiracionit për të nxitur dezinformimin mbi pandeminë. “Ne nuk lejojmë askënd të dezinformojë rreth Covid-19 në platformën tonë”, shpjegoi një zëdhënës për rrjetin social.