Në 31-vjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, Lulzim Basha firmosi peticionin që i kërkon Parlamentit miratimin e një ligji për dekomunistizimin.
Ndonëse nisma ka si promotore sekretaren e PD-së, Jonila Godole, nuk vjen si iniciativë e forcës më të madhe të opozitës, por mbështetet nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë.
Me këtë rast, Basha foli kundër kultit të individit, si dhe kërkoi ndjesë në emër të Partisë Demokratike.
“Çdo shoqëri që mendon se dikush nga ne, sado i talentuar, i aftë apo i djallëzuar të jetë, është Zot apo gjysmë zot, përfundon shumë keq. Mesazhi i dytë është një ndjesë në emër të Partisë Demokratike drejtuar së pari të përndjekurve politikë, për premtimet e pa përmbushura. Dhimbja është terapia më e mirë që të mos përsërisim të keqen. Le të jemi dhe sot një familje e përbashkët siç ishim 31 vite më parë, jo vetëm e demokratëve, sepse ky shesh nuk ishte i mbushur vetëm me demokratë, kishte dhe ish-anëtarë të Partisë së Punës, të cilët u bashkuan me demokratët për të shembur kultin e diktatorit. Të zotohemi që përmes veprimeve tona të mos e lejojmë më kurrë kultin e individit, as në mesin tonë, as mes shqiptarëve. Zoti na ka bërë të barabartë, detyra jonë është t’i japim mundësi të ecë përpara. Askush mes nesh nuk mund të jetë më Zot. Të shtyjmë përpara procesin e dekomunistizimit, me ndihmën edhe të partnerëve ndërkombëtarë”, u shpreh Basha.