Drejtori i Policisë Tiranë Tonin Vocaj ka dhënë detaje përmes një konference për mediat sa i takon operacionit antidrogë “Tempulli 3”, në kuadër të të cilit janë lëshuar 35 masa arresti.
Siç tha Vocaj, është goditur një grup kriminal që shpërndante lëndë narkotike në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht afër shkollave dhe lokaleve të natës.
Pas një hetimi 4 mujor, theksoi ai, janë siguruar prova ligjore për dokumentimin e veprave penale për 30 shtetas. 20 persona janë vënë në pranga këtë të enjte, ndërkohë që 10 janë shpallur në kërkim. Masa e “arrestit me burg” është caktuar dhe për 5 persona të cilët aktualisht ndodhen në qeli, pasi janë arrestuar më parë. 30 personat akuzohet për prodhim dhe shitje narkotikësh.
Mësohet se Policia ka sekuestruar 3.5 kg kokainë, 50 doza heroinë, 100 doza kanabis, 27 telefona dhe 5 automjete.
20 të arrestuarit janë: Rei Ramushi, Emiljano Birja, Abdullah Zyberi, Albjo Shkira, Kevin Nazari, Amarildo Jashari, Florjan Çepa, Ibez Zebi, Florjan Miha, Erol Bardhoshi, Andrin Bajraktari, Emiljano Maksutaj, Hamza Firi, Albi Bulku, Maringlen Kolaj, Armando Disha, Klodjan Lena, Altmir Mustafaraj, Gentjan Agaj, Flori Lime.