Kërkuesit e thesareve nisën kërkimet në një pallat të vjetër të shekullit të 18-të në jug të Polonisë për të gjetur një thesar 10-tonësh prej ari që dyshohet se është groposur aty nga nazistët.
Kërkimet drejtohen nga fondacioni “Silesian Bridge” dhe ato janë përqendruar në një zonë të vogël të pallatit të vjetër në fshatin e Minkowskie. Historianët besojnë se aty është groposur një sasi e madhe ari e vjedhur nga kreu i SS, Heinrich Himmler për ngritjen e Rajhut të Katërt.
Një grup ekspertësh është duke gërmuar me kujdesin më të madh, duke e trajtuar zonën si sit arkeologjik, për të zbuluar themelet e ndërtesës së vjetër.
Zona ku dyshohet se është fshehur thesari doli nga të dhënat dhe hartat e një oficeri të SS, të cilat iu dorëzuan kërkuesve nga një pasardhës i tij.
Mes dokumenteve, ndodhet dhe një letër që oficeri me emrin Von Stein ia ka dërguar njërës prej vajzave që punonte në pallat dhe që më pas u bë e dashura e tij.
Oficeri nazist i drejtohej vajzës me emrin Inge me këto fjalë: “E dashura ime Inge, unë do t’i përmbush detyrat që më janë caktuar, me vullnetin e Zotit. Disa transporte ishin të suksesshme. 48 sëndukët e tjerë të Reichsbank jua besoj ju. Vetëm ju e dini se ku ndodhen ato. Zoti ju ndihmoftë dhe më ndihmoftë, ju lutem plotësoni detyrën time”.