Kanë kaluar njëzet vjet që nga një tërmet masiv dhe një cunami i mëvonshëm që shkatërroi komunitetet në Azinë Juglindore, duke rezultuar në gati 230,000 vdekje dhe miliona të zhvendosur në fatkeqësinë më të keqe natyrore në historinë moderne.
Në mëngjesin e 26 dhjetorit 2004, një tërmet me magnitudë 9.2 goditi shtratin e detit jashtë Indonezisë, duke shkaktuar një valë uji deri në 30 metra të lartë që lëvizi drejt komuniteteve përreth Oqeanit Indian.
Është tërmeti më i fortë në Azi, tërmeti më i madh në botë në shekullin e 21-të dhe i treti më i madh që nga viti 1900.
Gjatësia e ndarjes së pllakës ishte midis 1200 dhe 1300 kilometra, kjo është arsyeja pse tërmeti u ndje edhe në Alaskën e largët.
Indonezia, Sri Lanka, India dhe Tajlanda ishin vendet më të goditura, ku uji fshiu nga harta fshatra dhe qytete të tëra. Cunami arriti në nëntë vende të tjera.
Të mbijetuarit u përballën me izolim dhe sëmundje në ditët që pasuan pasi përpjekjet fillestare të shpëtimit dhe ndihmës u penguan nga burimet fizike për shkak të shkallës së katastrofës.
Në atë kohë, Presidenti i SHBA Xhorxh W. Bush deklaroi se shkalla e humbjeve ishte përtej arsyes, ndërsa disa qeveri u akuzuan për vonimin e një reagimi emergjent.
Në vitet pas fatkeqësisë, komuniteti ndërkombëtar mblodhi më shumë se 13 miliardë dollarë donacione, përgjigja më e madhe humanitare ndaj çdo fatkeqësie natyrore.
Studiuesit që kanë studiuar rajonin dhe kanë vizituar zonat e prekura nga cunami thonë se shenjat e katastrofës janë ende të pranishme dekada më vonë.
Ekspertët vunë në dukje se rajonet e prekura ende mbeten prapa ekonomikisht në krahasim me zonat që nuk u prekën nga cunami dhe shumë të mbijetuar jetojnë ende me stres post-traumatik.
Çfarë e shkaktoi tërmetin dhe a mund të përsëritet?
Sipas Shërbimit Gjeologjik Kombëtar të SHBA-së, tërmeti historik u shkaktua nga zhytja e pllakës tektonike indo-australiane nën pllakën euroaziatike.
Rajoni, i njohur edhe si Hendeku i Sundas, është shumë sizmik dhe që nga viti 2004 ka prodhuar disa tërmete me magnitudë më të madhe se 7 ballë të shkallës Rihter.
Statistikisht, shfaqja e një tërmeti me magnitudë 9 përgjatë një zone të thyerjes nuk ndodh më shpesh se një herë në disa qindra deri në më shumë se një mijë vjet. Megjithatë, sizmologët paralajmërojnë se intervali midis ngjarjeve të tilla mund të jetë shumë i parregullt.
Qendra Kombëtare e Informacionit për Tërmetet vlerëson se çdo vit ndodhin midis 12,000 dhe 14,000 tërmete në mbarë botën, por vetëm një përqindje e vogël ndihet.
Tërmetet me përmasa tetë ose më shumë të shkallës Rihter konsiderohen si “tërmete të mëdha” dhe ndodhin një herë në dy vjet përgjatë mijëra zonave të thyerjes në mbarë botën.