Aktualitet 20 vjet pa poetin e dashurisë, familjarët përkujtojnë Alqi Boshjakun duke dhuruar...

20 vjet pa poetin e dashurisë, familjarët përkujtojnë Alqi Boshjakun duke dhuruar një stol dhe një pemë

Alqi Boshnjaku, njihet si poeti, që tingullit diti t’i japë kuptimin e vërtetë, poet që melodinë e bëri të flasë me gjithë forcën e saj, poeti që në këngën e tij teksti dhe muzika mëshirojnë njëra-tjetrën, në përsosmërinë e tyre, aq sa këta elementë s’mund t’i ndash kurrë nga njëri-tjetri.

I ndarë nga jeta 20 vjet më parë, familjarët e poetit të njohur që i thuri sa e sa vargje dashurisë  përmes teksteve të këngëve zgjodhën që ta përkujtojnë ndryshe atë, duke vendosur një stol në Parkun e Madh të Liqenit, një vend pikëtakimi i sa e sa çifteve të reja në kryeqytet.

Sigurisht nuk mund të mungonte edhe një pemë, simbol i jetës dhe i vazhdimësisë për brezat e ardhshëm.

Alqi Boshnjaku është një autor këngësh shumë i njohur. Në fëmijëri ka qenë këngëtar në pallatin e pionerëve.

Fillesat e tij si regjisor i ka me grupet amatore të shkollave të mesme “Qemal Stafa” dhe “Sami Frashëri”. Ka qenë regjisor i Estradës së Ushtarit dhe ka marrë pjesë si as/regjisor në disa filma si: “Emblema e Dikurshme”, etj.

Ai ka qene gjithashtu edhe drejtues dhe inspirues i grupeve të para të muzikës moderne si: “Arting”, “Spirit Voice” etj. Alqi Boshnjaku u aksidentua në Durrës më 2 shtator 1998 dhe vdiq më 20 shtator 1998.