Aktualitet “200 mijë euro për ‘kokën’ e Benit. Ta sigurojmë ne helmin”, Indrit...

“200 mijë euro për ‘kokën’ e Benit. Ta sigurojmë ne helmin”, Indrit Shaqja: Arben Lleshi e dinte që i ishin vënë pas

Viktima Arben Lleshi ishte në dijeni se i ishin vënë nga pas për ta eliminuar. Dëshmia e Indrit Shaqjes, shokut të tij të burgut, zbulon të tjera detaje rreth kësaj.

Shaqja mbeti vetë i plagosur në ngjarjen ku Leshi u ekzekutua në burgun e Peqinit.

Për prokurorin e rastit, ai është shprehur se Lleshit i ka ardhur një letër që e paralajmëronte se për kokën e tij ishin vënë 200 mijë Euro. E njëjta shifër ishte vënë edhe për Xheladin Krujën një tjetër emër i botës së krimit që disa vite më parë plagosi në qeli një të dënuar tjetër.

“Në vijim ka deklaruar se një anonim i ka dërguar letër Arben Lleshit tek dhoma se e paralajmërojnë se për kokën tënde po paguajnë 200 mijë euro dhe për Xheladin Krujën 200 mijë euro”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Për ekzekutimin e Lleshit, Shaqja thotë se ka marrë dy herë oferta. Pagesa do të ishte e njëjtë, 200 mijë Euro. Sipas tij, i janë dërguar dy letra me shkrim dore ku theksohej se do të paguhej për ta helmuar Arben Lleshin.

Shaqja thotë se ia ka dhënë letrat në të dyja rastet vetë Lleshit dhe për këtë ka dijeni i gjithë burgu.

“Ka deklaruar gjithashtu se gjatë gjithë kohës që ka qenë në burg dy herë në sportelin e derës së dhomës ka gjetur dy letra të shkrujtura me shkrim dore, një rreth katër vjet më parë dhe tjetrën rreth një viti e gjysmë më parë në burgun e Peqinit me të njëjtën përmbajtje se do të paguajmë 200 mijë Euro, do të sigurojmë dhe helmin që ti ta kryesh vdekjen e atij, Arben Lleshit. Nëse je dakord në të dyja rastet i kanë thënë se nëse je dakord na kthe përgjigje me letër. Është deklaruar gjithashtu se në të dyja rastet letrat ia ka dhënë shtetasit Arben Lleshi për të cilin deklaroi se ka dijeni gjithë burgu. Kam pasur marrëdhënie të mira në Fushë Krujë ndërsa më pas i ka prishur për shkak se i përbuzte fenë ky i dënuar. Në Peqin ka qenë për 3 muaj në regjim të posaçëm se ju kap telefoni në dhomë”, është shprehur ai.

Arben Lleshi u ekzekutua në burgun e Peqinit nga Sokol Mjacaj të premten. Indrit Shaqja mori plagë në këmbë.

Lleshi vuante një dënim përjetë për shkak se vite më parë ka vrarë një shqiptar në Britaninë e Madhe. Pas kësaj ngjarje, në familjen Lleshi janë vrarë disa familjarë të tij.