“Shpresojmë që Gjykata e Lartë do vendosë me drejtësi më 27 shkurt dhe do të lëvizë barrën e rëndë të 21 janarin nga kurrizi pa shtyllë i prokurorisë Tiranë në duart e SPAK.”
Me këtë mesazh për organet e drejtësisë, kryeministri Edi Rama kërkoi në përvjetorin e 13-të të 21 janarit, drejtësi për 4 protestuesit që mbetën të vrarë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Duke folur në ceremoninë e organizuar në kryeministri ku morën pjesë edhe familjarët e të ndjerëve, Rama e cilësoi këtë 21 janar të veçantë nisur nga vendimi final i Gjykatës së Strasburgut.
“Ky është një 21 janari i veçantë sepse sot për herë të parë që prej 13 vitesh shpresa nuk ushqehet vetëm nga brenda nesh, por edhe nga vendimi i Strasburgut dhe nga vullneti shprehur i SPAK dhe GJJKO për të goditur drejt, lart, pa duart e lidhura nga pushteti politik, dhe pa frikë nga dordolecët politikë. Ne sot nuk ka mbetet veçse të shpresojmë që Gjykata e Lartë do vendosë me drejtësi me 27 shkurt dhe do të lëvizë barrën e rëndë të 21 janarin nga kurrizi pa shtyllë i prokurorisë Tiranë në duart e SPAK për të hetuar cka krejt është shkruar qartë në vendimin e asaj gjykate, asgjë më shumë, asgjë më pak. Pastaj për ta cuar rezultatin e atij hetimi në duart e gjykatës së SPAK, ku më në fund Shqipëria dhe shqiptarët do mund të shohin nën dritën e diellit ata që duhet të përgjigjen për 21 janarin. Në të gjitha rastet, e kemi ditur apo jo Mark, e kemi ditur qysh prej ditës së parë, qysh prej ditës kur u mblodhën për herë të parë me dhjetëra mijëra vetë në marshimin e heshtur të 28 janarit 2011, se 21 janari është nga ato raste në historinë e botës, kur drejtësia nuk vjen dot kurrë shpejt, por nuk harron kurrsesi që të vijë.”
Sipas shefit të qeverisë, 21 Janari është një “krim shtetëror i pahetuar”.
“Fjalët e shpresë sonë sot nuk dalin vetëm nga dëshira e paepur për të mos iu dorëzuar errësirës mbytës të sistemit të vjetër të drejtësisë, por nga shenjat e zgjimit të drejtësie edhe për 21 janarin, njëra shenja është e drejtpërdrejtë, vendimi i Gjykatës Evropiane, i cili e cilëson 21 janarin, e zeza mbi të bardhë, si krim shtetëror të pahetuar. 21 janari është sa një nevojë për drejtësi të drejtpërdrejtë lidhur me një krim shtetëror, aq dhe një motiv, pasqyrë për të kuptuar më së miri se cila është detyra jonë, si udhëheqës dhe garant politik, i reformës në drejtësi.”