Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në një konferencë për mediat bëri me dije se mazhoranca do të kallëzojë në SPAK ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm të asaj kohe Lulzim Basha, ish-komandantin e Gardës, por edhe të gjithë zinxhirin tjetër komandues të Gardës për ngjarjen 21 Janarit 2011.
Manja tha se kallëzimi bëhet pas publikimit të një prove të re në lidhje me vrasjen e 4 protestuesve.
“Do të kallëzojmë në SPAK ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm, dhe ish-komandantin e Gardës, por dhe gjithë zinxhirin tjetër të Gardës së Republikës që ka dalë pas publikimit të një prove të re në mediat e vendit. Është ora që SPAK që është kompetente për hetimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të shtetit të bëjë drejtësi për “21 Janarin””.
Sipas Manjës, 21 Janari nuk është hetuar asnjëherë si vrasje shtetërore. Për këtë arsye, ai tha se SPAK i takon që të marrë provën e re dhe të fillojë hetimet.
“21 Janari nuk është hetuar asnjë ditë si vrasje shtetërore. Fakti i bërë publik para pak ditësh tregon qartë që paska pasur një zinxhir komandues dhe urdhërues për të qëlluar mbi protestuesit në datën 21 Janar 2011. Tashmë i takon prokurorisë që ta marrë këtë provë të re dhe të fillojë hetimet një orë e më përpara për vrasje shtetërore. SPAK duhet t’u japë përgjigje familjarëve të viktimave në radhë të parë, por edhe qytetarëve shqiptarë seç ndodhi më 21 Janar kur 4 qytetarë të pafajshëm ditën për diell u qëlluan nga dritaret dhe tarraca e kryeministrisë.
Ish-kryeministri Sali Berisha, çdo ditë për 12 vjet me radhë, edhe sot, ka deklaruar se protestuesit në bulevard i vrau Garda e Republikës, e cila sipas Sali Berishës mbrojti Kryeministrinë nga 4 qytetarë me duar xhepa që sipas atij kishin ardhur ta rrëzojnë nga pushteti. Tani ka një fakt të ri që duhet hetuar në mënyrë objektive nga SPAK dhe që të themi përligj deklarimit e ish-kryeministrit të kohës. Presim që SPAK të thërrasë të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje dhe që nuk janë paraqitur asnjë ditë pranë organit të akuzës. Të thërrasë edhe personat e tjerë që do të rezultojnë nga hetimi objektiv i kësaj çështje dhe të zbardhë përfundimisht të vërtetën”, tha Manja.