Ashtu siç ishte paralajmëruar, 22 nëntori, Dita e Alfabetit, do të jetë një festë kombëtare.
Vendimi është marrë ditën e sotme në Mbledhjen e qeverisë, teksa u bë i ditur nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani.
“Këshilli i Ministrave sapo miratoi një vendim për një ndryshim për ligjin për festat kombëtare dhe ditët përkujtimore. Këshilli i Ministrave po i propozon Kuvendit të Shqipërisë shtimin e Ditës së Alfabetit si një nga festat tona kombëtare. Është një ditë me simbolikë të veçantë, 22 Nëntori përfaqëson momentin më të madh unifikues të shqiptarëve që janë shpërndarë pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit, janë të përfaqësuara në të gjitha fetë monoteiste, por ajo që i ka bashkuar dhe vazhdon t’i bashkojë është gjuha dhe fakti që në Kongresin e Manastirit zgjodhën të shkruajnë dhe të identifikohen në këtë gjuhë të bukur dhe të shenjtë me alfabetin latin”, u shpreh Hasani.
Lajmi u njoftua më herët nga kryeministri Edi Rama gjatë Samitit të diasporës, teksa ftoi edhe Kosovën që të bënte të njëjtën gjë.
Alfabeti u njësua gjatë Kongresit të Manastirit i njohur ndryshe edhe si Kongresi i Alfabetit. Mes datave 14 nëntor – 22 nëntor 1908 është mbajtur një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe.