Politika 22 vite nga vrasja e Azem Hajdarit, e bija Rudina: Po mundohem...

22 vite nga vrasja e Azem Hajdarit, e bija Rudina: Po mundohem të eci në hapat e tu

22 vite bëhen sot që nga ekzekutimi i Azem Hajdarit, liderit të lëvizjes studentore dhe një prej drejtuesve të Partisë Demokratike me ardhjen e pluralizmit në vend.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, e bija e tij, Rudina Hajdari e cila pas një qëndrimi të shkurtër në Partinë Demokratike, po ecën drejt krijimit të një subjekti të ri politik, u shpreh se kujtimi i Azemit i jep forcë e besim.

“Je me mua kur zgjohem dhe shpesh e ndiej sikur me thua si dikur pasuria e gjithë botës është në duart e tua kur je njeri i lirë dhe i ndershëm”, shprehet deputetja e grupit demokrat. Ajo thotë se e ndjen pranë sa herë takon njerëzit që e kujtojnë Azem Hajdarin edhe 22 vite pas vdekjes sikur ta kishim takuar dje. “Je me mua kur më jep forcën të ndjek rrugën tënde. Rrugën e drejtësisë, rrugën e lirisë, rrugën e njerëzve të lirë”. “Më ka marrë malli, por të ndiej përditë, sepse mundohem të eci në hapat e tu. Në hapat e një njeriu që kurrë nuk e tregtoi lirinë. Do eci, ta premtoj!”, e mbyll mesazhin e saj këtë 12 shtator Rudina Hajdari.

Ajo iu bashkua Partisë Demokratike në mënyrë aktive, në 2017, kur protestonte në Çadrën 90 ditore me kushtin e zgjedhjeve të lira, duke u bërë pjesë në zgjedhjet që pasuan marrëveshjen Rama-Basha si deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Rruga e saj me PD u nda, kur Rudina vendosi të qëndrojë në Kuvend, përkundër vendimit politik të opozitës për djegien e mandateve. Deri në qershor ajo ishte kryetare e Grupit Demokrat në Kuvend, deputetët e të cilit javët e fundit të sesionit e zëvendësuan me Myslim Murrizin. Tani ajo po ecën drejt formimit të një subjekti politik me aktivistë të nismës Thurje.

Babi, 22 vite pa ty pranë fizikisht jane shumë. Por ti je me mua përditë.

Je me mua kur zgjohem dhe shpesh e ndiej…

Posted by Rudina Hajdari on Saturday, 12 September 2020