Kryeministri në detyrë i Bulglarisë, Kiril Petkov dhe homologu grek, Kyriakos Mitsotakis kanë përuruar hapjen e tubacionit të gazit, që do të shërbejë për reduktimin e varësisë nga Rusia.
Ata kanë hapur simbolikisht një valvul, gjest të cilin Mitsotakis e ka cilësuar si akt të krijimit të një ure mes veriut dhe jugut, Athinës dhe Sofjes.
Tubacioni prej 220 milionë eurosh do të transportojë gaz nga qyteti verior grek i Komotinit në Stara Zagora në Bullgari dhe do të lidhet me një tubacion tjetër që transporton gaz azerbajxhanas.
Furnizimi i Bullgarisë me gazin rus u ndërpre në fund të prillit mes tensioneve për pushtimin rus të Ukrainës.
Sofja kishte refuzuar kërkesën e kompanisë shtetërore Gazprom, për të paguar faturat e gazit në rubla.
Kryeministri bullgar ka cilësuar se gazsjellësi në fjalë i jep fund monopolist rus në Ballkan duke ofruar burim alternativ. Në ceremoni ka qenë i pranishëm edhe ministri azer i Energjetikës, Parviz Shahbazov, vendi që është burimi i gazit natyror.
Projekti për ndërtimin e një gazsjellësi midis Bullgarisë dhe Greqisë kishte filluar në vitin 2009, por ndërtimi filloi vetëm në vitin 2019.