Një shtetas i huaj është arrestuar nga policia kufitare e Rinasit pasi tentoi të dilte nga Shqipëria duke përdorur një pasaportë të një personi tjetër.
I arrestuari është një 24-vjeçar me iniciale E.A. nga Gana.
Ai përdorte pasaportën e një shtetasi nigerian me iniciale O.O., person me të cilin ka ngjashmëri. Policia thotë se i arrestuari e kishte siguruar këtë pasaportë kundrejt një shume monetare. Pasi të dilte nga Shqipëria përmes aeroportit të Rinasit, 24-vjeçari do të udhëtonte drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Nga hetimet e kryera, policia thotë se ka dyshime që në këtë aktivitet të paligjshëm të jenë të përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët kanë bashkëpunuar në organizimin dhe gjetjen e personave me ngjashmëri për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.