Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim organizoi një aktivitet me rastin e 245 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku morën pjesë dhe shumë politikanë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Të pranishëm në pritje ishin dhe presidenti Meta, kreu i Kuvendit, Ruçi dhe kryedemokrati Basha, ndërkohë që mungonte kryeministri Rama.
Teksa ka dhënë një mesazh në kuadër të kësaj dite të shënuar për Amerikën, Kim u shpreh se kjo ditë është e veçantë edhe për marrëdhënien mes Shqipërisë e Amerikës.
“Ndërsa festojmë ditëlindjen e 245-të të Shteteve të Bashkuara, shënojmë gjithashtu 30 vjet që kur populli i Shqipërisë refuzoi diktaturën komuniste në përkrahje të demokracisë. Në një nga veprimet tuaja të para si një popull i lirë, Shqipëria i shtriu dorën e miqësisë Shteteve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara e kapën me krenari dorën tuaj në vitin 1991 dhe ne kurrë nuk e kemi lëshuar”, shkruan Kim.
Ambasadorja amerikan Yuri Kim ka nënvizuar se kjo marrëdhënie do të vijojë dhe më tej.
“Në vitin e ardhshëm, ne mirëpresim të çojmë akoma më përpara demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin”, është shprehur diplomatja mes të tjerash.
Edhe politikanët shqiptarë kanë uruar SHBA për ditën e pavarësisë duke u shprehur mirënjohës ndaj kontributit që Amerika ka kanë dhënë për shtetin shqiptar.