Dr. Bledar Kurti
Rreth shekullit të pestë, në besimin e Krishterë, më 25 mars nisi të festohet Dita e Shpalljes së Lindjes së Krishtit. Bëhet fjalë për momentin e përshkruar te Luka 1: 26-32, kur engjëlli Gabriel i Shfaqet Marisë dhe i jep lajmin e lindjes së Krishtit: “Tungjatjeta, o hirplote, Zoti është me ty; ti je e bekuar ndër gratë… Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t’ia vesh emrin Jezus. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit…..”
Data 25 mars përllogaritet si 9 muaj përpara Krishtlindjes, përkon me javën e Pashkës, dita kur izraelitët dolën nga Egjipti, kryqëzimi i Krishtit, nisja e pranverës, fillimi i ri, e madje besohej se në pranverë u krijua kopshti i Edenit, Adami, etj. Të gjitha këto të konceptuara në mënyrë simbolike, por përgjatë shekujve u institucionalizuan dhe u respektuan me rigorozitet si nga Kisha Katolike Romane ashtu edhe nga Bizanti, kësisoj kjo ditë nisi të njihej si: FESTUM INCARNATIONIS, INITIUM REDEMPTIONIS CONCEPTIO CHRISTI, ANNUNTIATIO CHRISTI, ANNUNTIATIO DOMINICA.
Në art, kjo skenë biblike ka qenë gjithmonë ndër më të preferuarat. Mjeshtërit e mëdhenj e pikturuan në afreske kishash, në telajo druri, e derdhën në bronz e madje edhe në ar, etj. Ndër këta artistë ishin Donatello, Leonardo da Vinci, Caravaggio, e shumë e shumë mjetra të mëdhenj të artit, të cilët kryen kryevepra epokale, megjithatë njëra prej tyre mbetet si më sublimja, dhe kjo është vepra e Sandro Botticelli-t, e vitit 1490.
Në këtë vepër, pjesën më të madhe të tablosë e zë atmosfera arkitekturore. Perspektiva lineare është në nivelin më të lartë të përshkrimit. Në të majtë është engjëlli Gabriel që tutet përpara për t’i dhënë Marisë lajmin e mirë, por sytë e shikuesit vazhdojnë drejt, përmes harqeve e kolonave, në një dalje me liqen e pemore. Vepra ka një thellësi të jashtëzakonshme, e cila duket sikur të fton të hysh brenda e të përjetosh edhe ti atë moment. Në të djathtë shihet Maria, me rrobën ngjyrë qielli, bluja e sotme, ngjyra e virtytit dhe boja më e shtrenjtë e kohës.
Tabloja ndahet në mes nga një kolonë e rëndë, duke shërbyer si një ndarje midis dy botëve, dy realiteteve, dy gjendjeve, hyjores dhe mishores, por të bashkuara nga një rreze e artë, e cila depërton përmes murit ndarës, një rreze përbashkimi midis njeriut dhe qiellit, dhe ky është Krishti, të cilin ka ardhur vetë kryeengjëlli Gabriel t’ia Lajmërojë Marisë, se do jetë ndërmjetësi midis hyjit dhe njeriut dhe do e shembë murin ndarës.
Vepra ka një finesë sublime. Këmbët e Gabrielit dhe të Marisë duken të vogla në krahasim me trupat, por pikërisht ky truk i bën të duken sikur pluskojnë në ajër, si qenie pa gravitet. Të dyja figurat janë të pozicionuara në këndet e poshtme të kundërta, me trupin përpara, e nëse vizon formën e tyre nga cepat e tablosë krijohet një trekëndësh kënd-drejtë, që padyshim simbolizon trininë e shenjtë.
Pak dekada më vonë edhe Leonardo da Vinci do e pikturonte këtë skenë, por pavarësisht gjenialitetit të tij të pamohueshëm, vepra që krijoi ishte frigjide dhe me disa gabime kompozicionale, edhe pse konsiderohet kryevepër.
Dita e Shpalljes së Lindjes së Krishtit nga Sandro Botticelli është e mbetet ilustrimi më i bukur i pesë shekujve të fundit, për skenën më ikonike biblike të para lindjes së Krishtit. Një kryevepër që qëndron denjësisht në të njëjtin nivel mjeshtëror me dy vepra të tjera të tij si “Pranvera” dhe “Lindja e Venusit.”