Aktualitet 25 mijë euro për të ndikuar në vendimin e gjykatës, arrest shtëpie...

25 mijë euro për të ndikuar në vendimin e gjykatës, arrest shtëpie për avokatin

Petraq Semani është lënë në arrest shtëpie nga GJKKO me kërkesë të SPAK-ut. Semani, me profesion avokat, hetohet për ushtrim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

“Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 15, datë 18.02.2024, ka vendosur: Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit Petraq Semani, hetuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë i Kodit Penal (para ndryshimeve me ligjin nr.43/2021). Masa e mësipërme është ekzekutuar nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në datën 19.02.2024”, njoftoi SPAK.

Sipas hetimeve të SPAK, rezulton se Semani, në cilësinë e avokatit i ka kërkuar dhe marrë dy personave me iniciale Ll.D dhe S.D një shumë monetare prej 25 mijë Eurosh. Ai premtonte se do të ndikonte tek gjyqtarët e çështjes të cilët po shqyrtonin çështjen në ngarkim të shtetasit Ll. D për favorizimin e masës së dënimit.

Sipas SPAK, Semani më 6 Mars 2019 ka marrë një shumë prej 9550 Eurosh. Marrja e parave është bërë në banesën e shtetasit Ll.D dhe është regjistruar me audio e video nga rrethi familjar e shoqëror i këtij personi.

Pjesa tjetër e parave të kërkuara, sipas shtetases S.D dhe disa personave të tjerë që kanë dijeni për veprën penale, janë dhënë më vonë në disa këste deri në dhënien e vendimit përfundimtar gjatë fazës së rigjykimit në Shkallën e Parë.

Më 11 Shkurt 2020 Gjykata e Korçës e ka deklaruar fajtor shtetasin Ll.D për plagosje të rëndë me pasojë vdekjen dhe e ka dënuar me 15 vjet burgim. Në të njëjtën masë dënimi ishte dënuar edhe herën e parë në vitin 2018 nga Gjykata e Korçës. Për këtë arsye Semani i ka kthyer shtetases S.D, 8 mijë Euro, ndërsa pjesën tjetër nuk e ka kthyer.

“Sa më sipër, nisur nga hetimet e kryera në kuadrin e këtij procedimi penal, rezulton se ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasi Petraq Semani, ka konsumuar elementë të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë i Kodit Penal (para ndryshimeve me ligjin nr.43/2021)”, njoftoi SPAK.