Dy goditje me thikë në kraharor e dy në këmbë i kushtuan jetën një 34-vjeçari pasditen e kësaj të shtune në Tiranë.
Amarildo Hoxhallari mbërriti në gjendje të rëndë në spital, ku gjeti vdekjen vetëm pak kohë më pas.
Ai u plagos në zonën e Astirit në kryeqytet, rreth orës 18:45.
Autor i dyshuar është një 25-vjeçar. Darmian Keli u arrestua nga policia e Tiranës pak kohë pas ngjarjes.
E teksa do të jenë hetime ato që pritet të zbardhin rrethanat e plota të vrasjes, dyshimet e para janë se Keli e goditi me thikë Hoxhallarin pasi ky i fundit i ngacmoi të dashurën.
Raportohet se viktima Amarildo Hoxhallari rezulton të jetë person me precedentë penalë.
Në vitin 2015, kur ishte 25-vjeç, ai u arrestua së bashku kushëririn e tij Aurel Hoxhallari për një tentativë vrasje, ku mbetën të plagosur 2 persona. Bëhet fjalë për atentatin e dështuar ndaj Pajtim Serjanit, mik i Emiljano Shullazit dhe plagosjen e efektivit Roland Meta.
Ndërsa kushëriri i tij, i arrestuar në atë kohë për këtë ngjarje, vuan aktualisht dënimin me burgim të përjetshëm. Aurel Hoxhallari u dënua një vit më parë nga Gjykata e Posaçme si porositës të vrasjes së Devi Kasmit, krim i ndodhur më 29 Janar të 2018 në Tiranë.