Kosova 25-vjetori i Masakrës së Reçakut/ Osmani-Walkerit: Faleminderit që u bëre zëri ynë...

25-vjetori i Masakrës së Reçakut/ Osmani-Walkerit: Faleminderit që u bëre zëri ynë kur nuk kishim zë

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë sot homazhe për viktimat e Masakrës së Reçakut, dhe me këtë rast e ka falënderuar sërish ish-shefin e Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, që i dha jehonë asaj që kishte ngjarë më 1999.

“Jemi këtu për të falënderuar sërish ambasadorin (William) Walker që u bë zëri i të gjitha viktimave në një kohë ku ne fatkeqësisht nuk kishim zë”, ka thënë Osmani në fjalën e saj në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut.

“Në një kohë kur kishim nevojë për mbrojtjen e botës demokratike dhe ishte pikërisht Masakra e Reçakut ajo që e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës dhe nëpërmjet zërit të ambasadorit Walker u dëgjua edhe klithma e mijëra e mijëra viktimave shqiptare anekënd Kosovës”.

Osmani i shprehu mirënjohje të thellë Walkerit edhe për punën e tij pas luftës në Kosovë, ku ka insistuar për të vërtetën që ngjau në këtë fshat të Shtimes, pavarësisht mohimeve të Serbisë.

Liderët shtetërorë kanë kërkuar që përgjegjësit për kryerjen e këtij krimi të dalin para drejtësisë, ndërsa Walker tha se është i emocionuar sa herë kthehet në Reçak.

Për ish-ambasadorin amerikan, fëmijët e fshati kishin përgatitur buqeta me lule dhe letra falënderimi.

Në Reçak homazhe bënë edhe kryeministri Albin Kurti, kryetari i LDK-së, Lumi Abdixhiku, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, si dhe ambasadorë të akredituar në Prishtinë dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.