Një shqiptar humbi jetën tragjikisht në një aksident në Itali. Ngjarja ndodhi të premten në mëngjes në Terracina. Identiteti i tij nuk bëhet i ditur, por mediat italiane raportojnë se bëhet fjalë për një 27-vjeçar.
Policia po heton për dinamikën e aksidentit që i mori jetën atij. Mendohet se ai është përplasur nga një furgon. Ka qenë vetë shoferi i furgonit, një 61-vjeçar italian që ka marrë policinë pasi pa shqiptarin e vdekur.
Shoferi ka thënë se ka dëgjuar një kërcitje të papritur në makinë, por ka vijuar të lëvizë. Më tutje duke menduar, vendosi të rikthehej në vendin ku e kishte dëgjuar dhe pa trupin e pajetë të shqiptarit mes shkurreve.
Pas kësaj ai ka marrë policinë dhe ka treguar gjithçka duke shpjeguar se nuk e kishte kuptuar që kishte goditur të riun. Ndaj shoferit rëndon akuza e vrasjes në rrugë. Ai ka rezultuar negativ për alkool apo për drogë. Megjithatë vijojnë hetimet për të kuptuar më saktë se çfarë ndodhi.