Janë rreth 300 mijë të rinjtë shqiptarë të cilët duan të largohen nga vendi, thotë fondacioni “Friedrich Ebert” në raportin më të fundit për të rinjtë në rajonin e europës jug-lindore.
Sipas këtij raporti, 43% e të rinjve shqiptarë duan të largohen nga vendi. Pak më shumë se gjysma e tyre, do të donte të largohej nga Shqipëria për më shumë se 20 vite, thuhet në studimin i cili është kryer në formën e një ankete. Nga ana tjetër, 1/3 të rinj shprehet se nuk ka aspak ndërmend që të emigrojë nga vendi. Rreth 76% e atyre që duan të largohen ndërkohë japin si arsye kryesore atë ekonomike, ashtu si pjesa tjetër e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të Europës jug-lindore.
Me një potencial emigrimi në rreth 285 mijë të rinj, Shqipëria është e dyta në rajon, vetëm pas Rumanisë, që ka një popullsi bindshëm më të lartë. Të dhënat duket të jenë alarmante në këtë drejtim. Sa i përket zgjedhjes kryesore të të rinjve shqiptarë për të emigruar, në vend të parë qëndron Gjermania me 26%, në vend të dytë Mbretëria e Bashkuar me 18% dhe më pas Italia, me 16%.
Nga ana tjetër, të pyetur se si ata e vlerësojnë situatën socio-ekonomike në vend, me një notë nga 1-5, të rinjtë shqiptarë i japin vetëm 2.2, që është nota më e ulët ndër të gjitha vendet e rajonit. Nga krahu tjetër, të pyetur të vlerësojnë situatën socio-ekonomike në Bashkimin Europian, të rinjtë shqiptarë japin notën 4.4, më të lartën mes vendeve të rajonit.
Mesa duket, është pikërisht diferenca mjaft e lartë në perceptimin e dy realiteteve, atij në vendin tonë, dhe atij në vendet e zhvilluara, ajo që i shtyn të rinjtë shqiptarë që të dëshirojnë në masë të largohen nga vendi.
Burimi: SCAN