Pas 3 orësh, Ilir Meta ka përfunduar dëshminë e tij në SPAK. Në një deklaratë për mediat, Meta u shpreh se ka marrë një ftesë prej ditësh për t’u pyetur lidhur me marrëveshjen CEZ/DIA, si person që ka dijeni.
“Atëherë, faleminderit. Nëse keni pritur këtu disa orë nuk është përgjegjësia ime, por meqënëse keni pritur jam i gatshëm t’ju përgjigjem me shumë qetësi dhe dashuri. Së pari, kam pasur ftesë prej disa ditësh për të ardhur për një çështje të nisur që në vitin 2019. Unë ju kam thënë dhe juve dhe qytetarëve shqiptarë që kam pasur shumë pritshmëri që SPAK do ishte një institucion lider kundër korrupsionit dhe sa herë do ftohesha do vija me shumë kënaqësi për t’i ndihmuar për çdo çështje që ata e gjykojnë se mund t’i ndihmoj. Ashtu sikurse e dini se janë me dhjetëra kallëzime të mia edhe si President për çeshtje konkrete apo për denoncimin e Kuvendit që falsifikoi firmën e ish-kryetarit asokohe e shumë çështje të tjera. Mesa kuptova CEZ dhe DIA është një çështje që është përsëritur shumë herë dhe riaktivizohet sa herë Rilindja është në krizë, por jam i detyruar të tregoj modelin tim me raport me qytetarët dhe transparencën për dikë të përfshirë në politikë. Jam përgjigjur me shumë durim dhe qetësi për rrethana apo persona të caktuar”, u shpreh Meta.
Kryetari i Partisë së Lirisë theksoi se nuk ka asnjë lidhje me këtë marrëveshje pasi në atë kohë nuk ka qenë ministër i Ekonomisë.
“Mendoj që kam dhënë sqarime shterruese që në vitin 2015 kur u hap çështja e cila manipulonte të dhënat e procesit të Arbitrazhit në Vienë për të cilën kompania që mbronte palën shqiptare bëri një deklaratë zyrtare që u publikua dhe në faqen e Kryeministrit. Përgënjeshtronte të gjithë mediat që kishin përfshirë emrin e kryetarit të parlamentit sikur ishte përmendur në procesin e Arbitrazhit. Është përgënjeshtrim i botuar nga vetë Endri Fuga. S’kam asnjë lidhje me procesin e privatizimit të CEZ dhe asnjë lidhje me marrëveshjen CEZ/DIA sepse është bërë në kohën që Ilir Meta nuk ishte ministër i Ekonomisë”, tha Meta.
Ai deklaroi ndër të tjera se në 4 muajt në detyrë si ministër i Ekonomisë ka pasur përplasje të forta mes qeverisë dhe CEZ për situatën energjetike. Veç të tjerash, Meta thotë se dëshmia e tij në SPAK është urdhër i dhënë nga Kongresi i PS-së.
“Më e rëndësishmja është që për 4 muaj si ministër i Ekonomisë, CEZ jo vetëm s’ka përfituar gjë nga qeveria, por kemi qenë në debate të vazhdueshme për performancën dhe situatën energjetike, dhe në Dhjetor pasi ERE mori një vendim që favorizonte CEZ në raport me KESH, detyronte t’i shiste energji më lirë CEZ, ministria e ka kundërshtuar, drejtori i CEZ ka qenë në varësinë time të drejtpërdrejtë. Përplasja mes qeverisë dhe ERE ka qenë shumë e fortë dhe është shumë e qartë se sot e asnjëherë nuk ftohem për asnjë vendim për asgjë që ka të bëjë me përmbushjen e funksionit zyrtar për atë periudhë dhe çdo periudhë tjetër. Drejtësisë nuk mund t’i shmangesh, por ajo që mund t’ju them se padiskutim nuk ekziston asnjë akt, dokument për Ilir Metën. S’ka asnjë fakt që mund të krijojë një raport të Metës me ligjin, përkundrazi aktet e tregojnë qartë që Ilir Meta s’ka asnjë lidhje.”, deklaroi ai.
“Prokurori, apo personi i autorizuar që më pyeti, mund t’ju them se përgjigjen më të shkurtër e kam dhënë për këtë person, mashtrues, të përzënë nga LRI që në 2004-2005. Kushdo që ka probleme me drejtësinë, mund të marrë0 status. Më vjen keq që harxhohet kohë për gjëra të tilla ndërkohë këtu dosjet janë mal. Unë nuk ndaloj askënd që të bëjë pyetje dhe i ftoj“, kështu u shpreh Meta lidhur me dëshmitarin Elvis Mata për dosjen CEZ/DIA.
“Ju e dini se kush i ka dhënë udhëzimet që të thirrem te SPAK-u, janë dhënë nga Kongresi i Partisë, por Meta është i hapur, transparent dhe mezi presim që për ato firmat “fët e fët” për Inceneratorët të ketë akte dhe veprime konkrete, edhe për gjithë ato çështje aq të rënda, që e kanë bërë Shqipërinë më të korruptuar në kontinent”, përfundoi Meta.