Gazment Bardhi, sekretari i përgjithshëm i PD, qëndroi për rreth 3 orë këtë të premte në prokurori për të dëshmuar në lidhje me ngjarjet e ndodhura më 8 janar në selinë e Partisë Demokratike.
Bardhi u shpreh se autorët e kësaj ngjarje janë tashmë të identifikuar dhe duhet të vihen sa më parë para përgjegjësisë.
Ai u shpreh se asnjë person brenda selisë nuk ka sulmuar, por ka pasur vetëm akte vetëmbrojtjeje.
“Ka vijuar bashkëpunimi me prokurorinë që në momentet e para të ngjarjes. Unë jam përgjigjur dhe kam dhënë shpjegime për çdo çështje për atë që ka ndodhur në selinë e PD. Kam kërkuar dhe vijoj të kërkoj zbardhjen e plotë të çështjes dhe ndëshkimit të autorëve.
Autorët as nuk fshihen, as nuk skuqen dhe as nuk zverdhen. Berisha ka marrë autorësinë e një akti të dhunshëm ndaj selisë së PD. Bashkë me të, edhe një pjesë tjetër e individëve të përfshirë janë vetidentifikuar dhe unë pres nga prokuroria të vendosë para përgjegjësisë autorët”, tha Bardhi.
Bardhi u shpreh ndër të tjera se brenda selisë nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm.
“Kam dhënë shpjegime të plota në këtë çështje. Kam rikonfirmuar atë që prokurorët kanë qenë dëshmitarë bashkë me mua që çdo person që ka qenë brenda selisë qendrore të PD i është nënshtruar kontrollit fizik, sikundër çdo ambient i selisë i është nënshtruar kontrollit dhe këqyrjes nga ana e prokurorisë dhe ripohoj përpara opinionit publik atë që prokuroria pohoi gjatë caktimit të masave. Asnjë send i ndaluar nuk është gjetur në ambientet e brendshme të selisë së PD”.
Bardhi i ktheu përgjigje akuzave të Berishës se Basha rrethohet me fondamentalistë.
“Nuk ka asgjë serioze në atë akuzë. Është qesharake, është mashtrim si çdo gjë e thënë për fat të keq nga zoti Berisha gjatë këtyre ditëve”.
Sekretari i Përgjithshëm i PD u shpreh se policia ka reaguar me 40 minuta vonesë që nga njoftimi i parë në protestë.
“Kam informuar prokurorinë e Tiranë se policia është njoftuar në orën 12:27 minuta. Ka pasur një komunikim të vijueshëm. Kam telefonuar më shumë se 7 herë zyrtarët më të lartë të policisë dhe ndërhyrja e tyre ka qenë rreth 40 minuta me vonesë”, tha Bardhi.
Një ditë më parë, në prokurori dëshmoi edhe Sali Berisha në lidhje me ngjarjet e 8 janarit.