Një fëmijë i mitur 3-vjeçar, Brian Spahiu, ka ndërruar jetë në datën 28 shtator pas trajtimit nga dentisti.
Gjyshi i vogëlushit të ndjerë pretendon se shkaku i vdekjes është narkoza e tepërt, çka është pranuar sipas tij edhe nga doktorët e tjerë në korridoret e spitalit.
Ai e konsideron doktorin Roland Xhaxho “një kriminel” duke kërkuar drejtësi, pasi në të kundërt thotë se do të bëjë vetëgjyqësi.
Gjyshi i Brianit të ndjerë rrëfen për MCN Live momentet e ankthit dhe përballjen me doktorin.
“Dua të informoj gjithë tragjedinë që na ndodhi. E kishim djalin 3 vjeç dhe e çuam për pastrim dhëmbët dhe dhëmballësh. E çuam të doktori që mbahet më i miri, më krimineli në botë, Roland Xhaxho. Ka hyrë në sallë në orën 10:00. Mjeku dhe mjekja stomatologe na garantuan që s’ka asnjë problem. Ne i thoshim: ‘Doktor kujdes!’, ai na thoshte që: ‘S’ka asnjë problem’. Na ka thënë që është brenda parametrave, po pres t’i dalë narkoza dhe do ta merrni në shtëpi. Në 3:30 ka dalë djali nga salla, na është thënë se është brenda parametrave. Ne ndjenim shqetësim për vonesën, ai vazhdonte që ‘mos kini problem’. Në 7:10 na kanë nxjerrë djalin, që ka pasur një përgjumje të tmerrshme. Doktori na tha që ‘është kalimtare’, ‘do t’i dalë narkoza’. E sollëm djalin në shtëpi, na dha edhe ilaç ai krimineli. I hipi temperatura në 39,3! E morëm në telefon Rolandin dhe ai nuk hapte telefonin. Më mbrapa e çuam urgjent djalin në spital në gjendje kome. Mjekët e QSUT u përkushtuan të gjithë, por nuk na thonin gjë, diçka ata fshihnin, sepse e dinin problemin”.
I pyetur mbi kallëzimin penal që është bërë ndaj mjekut Roland Xhaxho, shtetasi Guri Spahiu thotë se nëse nuk do ketë drejtësi do bëhet vetëgjyqësi.
“Deri në denoncimin që kemi bërë s’na ka thirrur njeri. Në atë spital punon gjithë familja. Edhe te Spitali Nënë Tereza s’na i thanë diagnozën, e mbanin të fshehur. Policia Gjyqësore mori kartelën. Shkaku i vdekjes është narkoza e tepërt dhe doktor Xhaxho. Këtë ai e ka pranuar. Doktorët në fshehtësi na i komunikonin këtë gjë, në fshehtësi, në korridore, që faji është i doktor Xhaxhos. E ka mbingarkuar me narkozë, i dëmtoi mëlçinë dhe kaloi hemorragji në mushkri. Është keqardhje e madhe që populli paguan taksa dhe mbetet në dorën e këtyre kriminelëve. Policia duhet ta kishte arrestuar këtë kriminel, sepse me dashje apo pa dashje ka vrarë një njeri. I bëj thirrje Prokurorisë, gjykatës, që nëse nuk jepet drejtësi, ne do kalojmë në vetëgjyqësi”.
Babai i Brianit, Bledar Spahiu shprehet se “fëmijën e çuam për t’i rregulluar dhëmbët dhe e morëm në mënyrën më të tmerrshme”. Ai vë në dukje faktin që i biri nuk vuante nga asnjë problem shëndetësor.