Përmes një reagimi zyrtar mëngjesin e sotëm, Instituti i Mjekësisë Ligjore ka bërë me dije se vendimi për kryerjen e ekspertizës së 3-vjeçares të dhunuar në kopshtin privat “Stinët”, u ka shkuar më 7 nëntor.
“Në lidhje me ngjarjen e fëmijës 3 vjeçe që është dëmtuar në një kopësht privat ju bëj me dije se, vendimi për kryerjen e ekspertimit për fëmijën e sipërpërmendur ka ardhur në 07.11.2023, në IML ( rreth orës 13.30) dhe menjëherë kemi ndërmarrë veprimet për kryerjen e aktin të ekspertimit. Dje, në datë 08.11.2023, akti i ekspertimit i fëmijës u krye dhe u nis po dje, për në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë”, thotë Instituti, ndërkohë që më herët u raportua se mjeku ligjor nuk kishte shkuar për të bërë ekspertizën e gjendjes së vajzës.
Rasti që tronditi opinionin u bë publik më 6 Nëntor të këtij viti nga emisioni investigativ “Stop”. Për këtë të fundit, i ati i të miturës deklaroi se ngjarja kishte ndodhur më datë 1 Nëntor, ditë kur e vogla është dërguar te Trauma pasi kishte këmbën të thyer.