Politika “30 milion euro abuzim për Tunelin e Llogarasë”, PD kallëzon në SPAK...

“30 milion euro abuzim për Tunelin e Llogarasë”, PD kallëzon në SPAK Belinda Ballukun

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përmes kryetarit Gazment Bardhi, ka dorëzuar një kallëzim penal në SPAK ndaj zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Sipas PD-së, Balluku akuzohet për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Kallëzimi lidhet me projektin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, ku dyshohet se janë abuzuar 30 milionë euro në favor të një kompanie turke që nuk ka kryer asnjë punim. Sipas PD-së, këto fonde janë pjesë e një skeme korruptive që ka dëmtuar Buxhetin e Shtetit, duke favorizuar një kompani që nuk disponon licencat e nevojshme për ndërtim.

PD kërkon nga SPAK të nisë një hetim të plotë për këtë çështje dhe të vendosë përpara drejtësisë zëvendëskryeministren Balluku dhe çdo person tjetër të përfshirë në këtë skemë abuzive.

Tuneli i Llogarasë që u hap më 5 Korrik, lidh Urën e Shën Elizës me atë të Palasës me një gjatësi prej 5.9 km si dhe do të lidhet në hyrje dhe dalje të tij me dy ura 110 dhe 40 metra. Ky tunel përshkohet për rreth 10 minuta.