Përkujtohet sot 30-vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri. Përmes një postimi në Twitter ambasada amerikane në Tiranë shprehet kjo është një darë e rëndësishme për të dy vendet dhe ka kërkuar nga ambasadorët që t’i dërgojnë një mesazh popullit shqiptar.
“Sot ne festojmë një datë shumë të rëndësishme! 30 vjet më parë, në 15 Mars 1991, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria rivendosën marrëdhëniet e tyre diplomatike. Për të festuar këtë datë të rëndësishme për vendet tona, ne i kërkuam ish-ambasadorëve të SHBA-së që t’i dërgojnë një mesazh popullit shqiptar.
Ata me kënaqësi ranë dakord, duke thënë se sa shumë u mungon ky vend. Gjatë gjithë kësaj jave, ne do të postojmë mesazhet e këtyre ambasadorëve dhe do të festojmë së bashku këtë datë të rëndësishme”, thuhet në postimin e ambasadës.
Në 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi, ku ndër të tjera thuhet se Aleanca, miqësia dhe besnikëria me SHBA e ka bërë Shqipërinë një vend të madh.
“Aleanca, partneriteti, miqësia dhe besnikëria me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm na ka mbrojtur, por edhe ka shumëfishuar ritmet, zhvillimin dhe rolin e kontributin e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, përkundrejt kufizimeve të natyrshme të një vendi të vogël.
Këtë mbështetje ne e ndjemë edhe gjatë tridhjetë viteve të fundit, kur Shqipëria, iu bashkua valës së tretë të proceseve demokratizuese globale për ta shndërruar demokracinë nga një ideal në një realitet, nën lidershipin e pagabueshëm të Shteteve të Bashkuara”.
Mbështetje e Shteteve të Bashkuara vendi ynë e ndjeu edhe kur udhëhoqën luftën për çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e shtetit më të ri në Europë, thuhet në letrën e kreut të Kuvendit.
“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara është edhe sot frymëzimi dhe siguria më e madhe e thellimit të reformave të mëdha në zhvillimin e vendit, rindërtimin e sistemit të drejtësisë, qeverisjen e mirë, luftën kundër korrupsionit dhe përshpejtimin e proceseve integruese, si anëtare e NATO-s dhe drejt negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian”.