Në 30 vjetorin e Gjykatës Kushtetuese, kryeministri Edi Rama risolli në vëmendje disa nga vendimet e saj që sipas tij kanë lenë shenja në historinë e saj të krijimin, por edhe të vendit tonë, duke rikujtuar çështjen e rrëzimit të marrëveshjes së detit.
Megjithatë, kreu i qeverisë u shpreh se Kushtetuesja shpesh herë shpërdorohet nga aktorët të tretë, duke e thërritur të japë arsyetime politike.
“Gjykata Kushtetuese është një ngrehinë me dritë dhe hije, me vula vendimesh të diskutueshme, por njëkohësisht dhe shkëlqime deri në të lavdishme. Kush mund ta harrojë rrëzimin e marrëveshjes së detit, në shkelje të sovranitetit. Një vendim epik për historinë e një Gjykate Kushtetuese. 30 vjet janë një fragment i shkurtër, një kohë që Gjykatën Kushtetuese e ka përvijuar si zbutëse të efekteve të tranzicionit, por edhe për zgjatjen e tij. Është krijuar një arsye e vrazhdë sikur i gjithë aktiviteti i Gjykatës Kushtetuese konsiston në një kalim pasash mes saj dhe Kuvendit dhe së fundmi deri para pak kohësh, larg qoftë me presidentin.
Kthime, gjysmëkthime, vendime për rishkrimesh ligjesh në fokus të debatit forcave politike, në pritje të një arbitrazhi, që ndonëse me konture juridike përqendrohet pashmangshmërisht në arsyetime politike apo ndonjëherë mjaftohet thjesht me balancime politike. Dhe natyrisht që këtu nuk është faji i Kushtetuese, por i shpërdorimit të saj nga aktorë të tretë, të cilët thërrasin në ring vend e pavend Kushtetuesen, e cila shtrëngohet në debate që janë të penguara nga presioni politik dhe në vendime që pastaj janë drobitëse për ata që përpiqen t’i lexojnë deri në fund”, tha mes të tjerash Rama.
Rama kritika drejt diplomatëve: Ndajnë gëzim apo hidhërim për vendimet e gjykatave
Një dozë kritike kryeministri Edi Rama ka hedhur ndaj diplomatëve të huaj në eventin e organizuar për të shënuar 30 vjetorin e Gjykatës Kushtetuese.
Kreu i qeverisë u shpreh se diplomatët e huaj në Shqipëri kanë luksin ta ndajnë me publikun gëzimin ose hidhërimin për vendimet e gjykatave, por pa përmendur askënd nga ambasadorët me emër.
“Kemi përballë dhe sytë e diplomatëve të huaj, të cilët kur vjen fjala te drejtësia duket se nuk ndjehen të huaj në territoret e saj. Madje kanë dhe një luks të veçantë që kur të duan mund ta ndajnë me publikun gëzimin ose hidhërimin për vendimet e gjykatave çka për mua nuk është hiç e këshillueshme lëre pastaj e imitueshme. Një fjalim përgëzues dhe linear mbetet në kufijtë e të pamundurës. Një fjalim kritik mbetet i pakëshillueshëm sa imitimi i diplomatëve që emocionohen publikisht për vendimet e gjykatave. Kështu dhe këtij kurthi do t’i shmangem”, u shpreh kryeministri.