Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë krah Shqipërisë për integrimin në familjen europiane. Ky ishte mesazhi që përcolli ambasadorja Yuri Kim me rastin e 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve, teksa kujtoi ndihmën prej 1.1 miliardë dollarësh dhënë për Shqipërinë.
Lidhur me këtë, diplomati i njohur Ksenofon Krisafi, thotë për Euronews Albania se Shqipëria ndodhet në kushte shumë të favorshme pasi në krahun e saj ka shumë aleatë si; SHBA, BE dhe NATO. Duke vlerësuar rrethanat gjeo-politike aktuale, profesor Krisafi thotë me bindje se ky është “shekulli i shqiptarëve”.
“Përshtypja ime; është koha e shqiptarëve, është shekulli i shqiptarëve në një farë kuptimi, sepse nga një shtet copë copë, ne u bëmë dy shtete. Dy shtete shqiptare në Ballkanin Perëndimor, në një rajon të trazuar, ku me pak mençuri dhe me pak modesti e qartazi mund të shfrytëzojmë pikërisht këto rrethana të veçanta që nuk i ka patur kurrë. Shqipëri, ndryshe nga të gjitha vendet e Ballkanit ka qenë vetëm, s’ka pasur aleatë, përjashtojmë kohën kur u quajtën si aletë Austro-Hungaria dhe Italia. Ka ardhur koha që në e kemi aleatë të mëdhenj. Kemi SHBA, BE dhe NATO. Ne nuk duhet të kënaqemi me kaq, por duhet të dimë t’i mbajmë këto miq dhe ne nuk duhet t’u krijojmë probleme”. tha ai.
Përballë gazetares Bruna Çifligu, diplomati thekson se pavarësisht pengesave, Shqipëria vijon të ndjekë një trajektore pozitive në vendosjen e sistemit të drejtësisë.
“Pavarësisht vështirësive në të cilat po ecim në shqiptarët, unë shoh dritë në fund të tunelit. Them se gjërat po shkojnë mbarë. Ka kohë që në këto 30 vjet Shqipëria ka vuajtur nga sistemi i drejtësisë. Këto probleme i ka identifikuar e para SHBA dhe BE-ja, dhe prandaj ata e vënë theksin tek sistemi i drejtësisë”, shtoi ai.
Profesor Ksenofon Krisafi nuk kursen kritikat për një pjesë të politikanëve shqiptarë, të cilat në optikën e tij nuk kanë bërë sa duhet për konsolidimin e kombit shqiptar.
“Kemi pas, dhe kemi të tillë njerëz që nuk merakosen për ne, për popullin, për Shqipërinë dhe për Kosovën tonë sesa për kolltukun e tyre dhe kjo është për të ardhur keq. Unë i kam menduar krejt ndryshe, e kam menduar se do ishim më shumë rezultative, megjithatë nuk janë dëshpëruese. Gjithsesi, shoh se gjërat kanë ecur dhe po ecin mirë, pavarësisht problemeve, sepse nuk ka sot vende pa probleme”, tha ai. / Euronews Albania