30 vjet më parë, qeveria kineze dërgoi ushtrinë dhe tanket për të shtypur protestat e studentëve në sheshin Tiananmen të Pekinit. Që atëherë, qeveria është përpjekur që jo vetëm të fshijë sistematikisht të gjitha kujtimet e shtypjes së dhunshme, por edhe të frenojë çfarëdolloj thirrjesh për reforma politike.
Korrespondentja e Zërit të Amerikës Anna Kook bisedoi me aktivistë politikë dhe analistë për efektin që kanë ende sot të shtënat e atëhershme.
Për tre dekada, “burri mbi tank” ka qenë simboli më i njohur i ngjarjeve të mbrëmjes së 4 qershorit 1989, kur Partia Komuniste Kineze shtypi protestat e organizuara kryesisht nga studentët.
Ndër qindra mijëra protestuesit ishte edhe atleti Fang Zheng, student në Universitetin e Pekinit.
Edhe ai, qëndroi përpara një tanku atë natë.
“Na rrethoi gazi helmues dhe i ra të fikët njërit prej shokëve të klasës. U përpoqa ta tërheq në anë të rrugës. Atëherë pashë përmes mjegullës se po na afroheshin tanket me shpejtësi. I pashë me vonesë… Një tank më shtypi këmbët. Sidoqoftë, unë isha me fat. Studentë të tjerë u shtypën krejtësisht nga tanket”, tregon zoti Zheng.
Gjakderdhja kulmoi pas tensioneve prej muajsh të tërë. Deri atë mbrëmje, miliona kinezë protestonin në shumë qytete, por u shtypën me forcë brutale.
Ishte një pikë kthese për Kinën, por shumë kinezë nuk kanë sot dijeni për shkak të censurës së qeverisë.
Qu Yige, i lindur në vitin 1990, thotë se ka parë fshehurazi bashkë me shokët një dokumentar për incidentin në Tiananmen. Pasi mësoi të vërtetën, ai thotë se nuk ndryshoi ndonjë gjë.
“Nuk bëmë ndonjë gjë më pas. Në përgjithësi, studentëve nuk u pëlqen të flasin apo të debatojnë haptazi për këto lloje gjërash. Nuk kanë ndjesinë se vendi u përket”, thotë ish-studenti Qu Yige.
Por, studentët kinezë nuk janë krejtësisht apolitikë, thotë një ekspert për regjimin totalitar kinez.
“Ka një lloj pragmatizmi në radhët e tyre se nuk mund të bëjnë gjë për ndryshimin. Pra, vërtet mund të mos dalin në rrugë për të protestuar, por mendoj se janë të vetëdijshëm që ekziston një rrugë më e hapur e shoqërisë”, thotë Michael Davis, i Institutit Kissinger për Kinën dhe SHBA-në.
Komuniteti ndërkombëtar dhe aktivistët politikë të larguar në azil jashtë vendit kanë bërë thirrje të përsëritur që Kina të kërkojë ndjesë për masakrën e vitit 1989. I kanë bërë thirrje vendeve si Shtetet e Bashkuara, që të përdorin tregtinë si mjet presioni ndaj shkeljeve të vazhdueshme të Kinës të të drejtave të njeriut.
“Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje dhe do të vazhdojnë të bëjnë thirrje për një pasqyrë të saktë të personave të vrarë, të arrestuar dhe të zhdukur… Nuk duhet të harrojmë se është një masakër e vërtetë”, thotë Morgan Ortagus, e Departamentit amerikan të Shtetit.
Në vigjilje të 4 qershorit, autoritetet kineze kanë arrestuar me dhjetëra persona dhe kanë mbyllur llogaritë në mediat sociale që flasin për këtë masakër. Zoti Davis thotë se mania e Xi Jingping-ut për të censuruar çdo gjë rreth Tiananmenit reflekton pasigurinë në rritje të udhëheqjes kineze.
“Mendoj se e dinë që ndërsa një shoqëri bëhet më e pasur, ka stimulin për ta ndryshuar formën e qeverisjes, për ta bërë më demokratike, më të hapur. Kështu që po përpiqen ta parandalojnë. Nën udhëheqjen e Xi Jinping-ut ka prova të qarta se ai mendon që një relaksim i pushtetit të Partisë Komuniste do të përbënte kërcënim”, thotë zoti Davis.
Ndërsa Kina përpiqet të shtypë çfarëdolloj kujtese të protestave në Tiananmen, në mbarë botën, si këtu në Uashington, mbahen tubime dhe ceremoni përkujtimore duke treguar se nuk ato nuk janë harruar.
“Misioni mbetet i papërfunduar. Duhet ta vazhdojmë. Vijmë këtu për t’u riangazhuar në këtë betejë”, thotë Jian Li Yang, ish-student protestues në Tiananmen.
“Megjithëse kanë kaluar 30 vjet, shpresoj që njerëzit ta kujtojnë këtë tragjedi. Qeveria kineze ka gjithçka për ta censuruar këtë incident. Unë ndjej përgjegjësinë t’ua kujtoj njerëzve ngjarjet e asaj dite”, thotë zoti Zheng.
Edhe kur flasin për këtë çështje, zyrtarët kinezë refuzojnë çfarëdolloj kritike. Gjatë një forumi këtë javë në Singapor, Ministri kinez i Mbrojtjes Wei Fenghe përsëriti linjën zyrtare, duke thënë se shtypja ishte politika e duhur në atë kohë për të qetësuar trazirat politike./VOA