Kryedemokrati Lulzim Basha ka shpalosur dy zotimet e tij për median, në një aktivitet për 33 vjetorin e themelimit të gazetës “Rilindja Demokratike”.
Gjatë fjalës së tij Basha tha se do e çlirojë median nga lidhjet me pushtetin dhe do të punojë për lirinë, sigurinë dhe dinjitetin e gazetarëve.
Ai uroi gjithashtu përfaqësuesit e medias në këtë 33 vjetor të themelimit të gazetës së parë opozitare në Shqipëri.
“Zotimi im i parë sot është se PD duke nisur me shpalosjen e programit politik elektoral, zotohet se do ta çlirojë median shqiptare nga robëria e lidhjeve ekonomike me pushtetin, e cila ka zhbërë misionin kryesor të medias, atë të mbrojtjes dhe promovimit të interesit publik dhe ka dëmtuar dinjitetin e medias.
Zotimi im i dytë shkon për punonjësit e medias, për gazetarët dhe jo vetëm dhe te nevoja jo thjesht për të shkruar, por për të krijuar mekanizmat që do të zbatojnë me dorë të hekurt dinjitetin, sigurinë dhe lirinë e punonjësve të medias.
Me këto dy zotime dua ti rikthehem edhe njëherë 33 vjetorit të RD, për të krijuar një shpresë të re, për ne dhe për publikun, për median shqiptare që ka ardhur nga një vit i vështirë”, tha Basha.