Mbrëmjen e së premtes në vendin tonë është regjistruar viktima e 34 nga koronavirusi. Lajmin e trishtë e dha Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi për mediat.
Bëhet fjalë për një të moshuar 85-vjeçare nga Tirana. Ajo ishte e konfirmuar me Covid-19 dhe ishte shtruar në Spitalin Infektiv.
Sipas ministrisë, 85-vjeçarja vuante edhe nga disa sëmundje bashkëshoqëruese, të cilat i dhanë goditjen përfundimtare.
“E moshuara e cila vuante nga insuficiencë kardiake kronike, fibrillacion atrial dhe hipertension, referuar shërbimit infektiv, ndërroi jetë si pasojë e dekompensimit progresiv kardiak dhe pulmonar fatal nga COVID19”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Këtë të premte në vendin tonë u konfirmuan 15 raste të reja. Kjo e çoi numrin e të infektuarve në vendin tonë në 1212 persona.
Pjesa më e madhe e tyre janë shëruar megjithatë 269 raste vijojnë të jenë aktive.