Mediat italiane kanë dhënë pamje nga aksidenti i rëndë që u përfshi të hënën Ilsjan Demko. 34-vjeçari shqiptar u përplas me pjesën e prapme të një kamioni.
Siç duket edhe nga fotoja, pjesa e përparme e makinës së tij është shkatërruar e tëra. Kjo ka shkaktuar dëme të rënda në trupin e Demkos, i cili ka ndërruar jetë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, i riu shqiptar mendohet se nuk e ka vënë re që kamioni ka ndaluar.
Ky i fundit ndaloi për shkak të një zjarri që kishte rënë në një krah të autostradës, ku një fugon ishte përfshirë nga flakët. Autoritetet po hetojnë edhe pistën që tymi nga zjarri të ketë penguar shikueshmërinë.
Demko banonte në Siçili. Ai ishte inxhinier dhe punonte si drejtor prodhimi për një kompani nga Tirana. I riu ishte i martuar dhe kishte një djalë.