“Dokumentet kanë të bëjnë me çështje fetare, arsimore si dhe shkrimin e gjuhës shqipe. Kemi regjistra ku përfshihen qytete të rëndësishme Prizreni e Janina. Kjo pasuri 350 mijë dokumente dhe të tjera që pritet të mbërrijnë brenda këtij viti. Është mori e jashtëzakonshme dokumentaresh”, tha Bido, duke theksuar se përzgjedhja është bërë nga specialistë shqiptarë.
“Dokumentet u përzgjodhën nga specialistët tanë që kanë shkuar në Stamboll. Janë një pasqyrë e qartë se ç’bënin shqiptarët gjatë periudhës osmane”, Bido.
E megjithatë, sfida më e madhe e Shqipërisë sot mbetet mungesa e atyre që do t’i përkthejnë këto dokumente, pasi ka shumë pak njohës të osmanishtes. “Është një problem që nuk mund të zgjidhet menjëherë. Duhet të përgatiten njerëz që të merren me to. Duhet që të rinjtë të drejtohen në fushën osmane, kemi përpunuar shumë pak nga këto dokumente”, thotë Rezart Mezani, osmanolog.
Dokumenti më i vjetër daton më 8 shkurt 1455 dhe është një regjistër që përfshin timare në Rumeli ku përfshihen dhe qytetet shqiptare si Prizreni, Janina dhe Elbasani, por ndër më të rëndësishmet, ekspertët e arkivës rendisin ato që kanë të bëjnë me Ali Pashë Tepelenën dhe Ismail Qemalin. Mezani tregon atë që ai e quan CV-ja e punës së Ismail Qemalit. Tashmë, kanë mbërritur në Tiranë 350 mijë dokumente dhe po aq pritet të mbërrijnë brenda këtij viti.
Që pas rënies së komunizmit, ka një debat të hapur mbi të djeshmen shqiptare në Perandorinë Osmane. Një pjesë e elitës vijojnë të mbrojnë idenë e një pushtimi, e potencuar kjo nga linja zyrtare e historiografisë komuniste, ndërsa një pjesë mbrojnë idenë e një sundimi, ku shqiptarët madje u trajtuan të privilegjuar nga Porta e Lartë, duke iu besuar shumë poste e detyra.