Prokurori i çështjes, Vladimir Mara në konferencën e përbashkët për shtyp mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane dha detaje për operacionin masiv antidrogë.
Kështu Mara zbuloi se përgjatë këtij procedimi penal janë sekuestruar 6 ton drogë të llojeve të ndryshme, sipërfaqe të mëdha tokash dhe pronash dhe 4 shoqëri tregtare në Shqipëri, vlera e të cilave arrin deri në 3 milionë euro.
Pjesa më e madhe e pronave është sekuestruar në qytete si Vlorë, Tiranë, Kavajë etj. Po ashtu prokurori tha se është dokumentuar veprimtaria kriminale e katër grupeve të strukturuara kriminale që vepronin në bashkëpunim me grupet kriminale italiane.
“Gjatë hetimit të këtij hetimi janë evidentuar episode të shumta të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt brigjeve italiane dhe pastaj shtrirja në disa vende të Italisë dhe vende të Europës. Kryesisht të lëndëve narkotike dhe llojit të kanabisit sativa, heroinë, kokainë dhe llojit të tjerë të përpunuar. Gjatë hetimit të këtij procedimi penal janë sekuestruar mbi 6 ton lëndë narkotike në Shqipëri dhe Itali dhe janë nxjerrë masa sigurie për 80 persona të dyshuar. Ditën e sotme ne kemi përfunduar një operacion, një operacion në vijim në fakt, për ekzekutimin e 28 masave të sigurimit. Operacioni është shtrirë në Shqipëri, Mal të Zi, Itali dhe Spanjë. Operacioni ka shkuar me sukses. Do ndalesha në dy momente shumë të rëndësishme. E para ka qenë besimi i krijuar nga autoritetet italiane dhe autoritetet shqiptare për të ndarë të dhëna dhe informacione në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe sa më të shpejtë.
E dyta, një element shumë i rëndësishëm që ka ndihmuar në këtë hetim kanë qenë 4 bashkëpunëtorët e drejtësisë që kanë ndihmuar duke na dhënë të dhëna të hollësishme.
Theksojmë se 4 bashkëpunëtorët nuk kanë qenë thjeshtë pjesë e grupeve kriminale, por kanë pasur një rol të rëndësishëm në përbërjen e këtyre grupeve kriminale. Është dokumentuar i gjithë rrjeti që nga kultivimi, magazinimi, trafikimi dhe mbërritja e lëndës narkotike në brigjet italiane. Së dyti, në kohë reale është ndjekur edhe një hetim pasuror dhe janë identifikuar dhe sekuestruar të gjitha pasuritë të cilat janë vënë si rezultat i aktiviteteve kriminale, apo të ardhura të tjera të fituara në mënyrë të paligjshme. E ndajmë në dy momente pasi në këtë hetim janë evidentuar edhe zyrtarë të lartë, të përfshirë drejtpërdrejtë në krimin e organizuar si dhe përfitues dhe mbështetës të krimit të organizuar. Kemi konstatuar zyrtarë të lartë duke shpërdoruar detyrën kanë qenë të involvuar në trafikun e drogës. Puna jonë kjo është dhe është shumë e rëndësishme që të evidentohen këto elemente që sjellin një regres në luftën ndaj krimit të organizuar. Sot janë sekuestruar një numër i madh pasurish. Pasuritë janë kryesisht në qytetin e Vlorës, në qytetin e Kavajës, në Tiranë dhe në vende të tjera. Pasuritë janë të paluajtshme, gjithsej 12 pasuri të paluajtshme që janë restorante, hotele, supermarkete, troje ndërtimi etj. Janë sekuestruar 4 shoqëri tregtare me gjithë kapacitetin e tyre dhe disa pasuri të tjera që në fakt kapin një vlerë mbi 2-3 mln Euro. Është dokumentuar fakti që këto pasuri janë direkt të vëna si rezultat i të ardhurave nga aktiviteti kriminal. Ka qenë një hetim shumë i mirë, hetim i ndjekur me metoda speciale të hetimit. Në Shqipëri janë evidentuar dy episode. Në njërin prej tyre është autorizuar dorëzimi i kontrolluar. Është dokumentuar veprimtaria kriminale 4 grupeve të strukturuara kriminale që vepronin në mënyrë të ngushtë me grupe kriminale në Bari dhe grupe të tjera në Itali”, tha Mara.