Arben Spahiu: “Përse duhet të vini në banesën time për makina që gjeni rrugëve dhe s’kam punë unë me to”.
Me këtë fjali, Arben Spahiu, i arrestuar me dyshimet se po përgatiste një atentat në Elbasan, priti efektivët e Policisë kur ata i shkuan në banesë.
Në dokumentet hetimore që ka siguruar Tv Klan, kjo fjali që është përdorur nga Spahiu, i bindi hetuesit për të kundërtën, pasi tregoi dijeninë e tij për makinën në një kohë që ata nuk ia kishin përmendur atë.
Prova kundër tij ishin dhe mjetet e identifikimit në emër të Spahiut dhe çelësi i makinës BMW X6 që do përdorej për atentat, të gjetura në një çantë pak metra larg mjetit.
Por provat kryesore për të zbuluar objektivin atentatit që u parandalua, u gjetën në telefonin e Arsen Preçit, i dyshuar si bashkëpunëtor i Arben Spahiut.
“Është bërë këqyrja e aparati celular i markës Samsung Galaxy A 20 të shtetasit Arsen Preçi ka rezultuar që ai në datë 18.02.2023 i ka dërguar një mesazh shtetasit A.K. (i njohur me emrin Mondi) dhe i ka kërkuar që mos t’i japë policisë numrin e tij dhe është interesuar për prezencën e automjetit BMW. Gjithashtu në celularin e tij janë gjetur edhe 2 fotografi të bëra në datë 17.02.2023, ku në pamje janë ambienti i hyrjes së një pallati, që të krijon dyshimin se Arseni ka qenë duke vëzhguar lëvizjet e ndonjë personi”, thuhet në dosje.
Preçi u la në arrest në burg me afat 60 ditë, në pritje të përgjigjeve të akt ekspertimeve të kërkuara për armët dhe gjurmët e gishtave të gjetura në mjet. Targat e vendosura mjetit BMW X6, të vjedhur në Shkodër dy javë më parë, rezultonin se ishin vjedhur në Elbasan në muajin shtator, duke ngritur dyshime se për këtë ngjarje autorët po përgatiteshin prej të paktën 4 muajsh./TV Klan