Kryeministri Edi Rama bëri një bilanc të sezonit turistik këtë vit, ndërsa theksoi se Shqipëria nuk duhet të profilizohet si një vend i turizmit low cost.
Sipas Ramës, në Shqipëri ka vend edhe për turizëm për low cost, por duhet përqendruar tek turistët e nivelit të lartë pasi ata sjellin më shumë para për ekonominë. Këtu, Rama mori si shembull jahtet. Sipas tij, 400 jahte sjellin para njësoj si 40 mijë turistë low cost që mund të vijnë.
“Shqetësimi i shqetësimeve është që Shqipëria të mos karakterizohet dhe të mos profilizohet dhe të mos mbyllet në perceptimin e ri që ka krijuar si një vend i turizmit low cost. Ne nuk duam dhe nuk mund të jemi vend i turizmit low cost. Ne duhet të jemi një vend ku ka edhe turizëm low cost, por ka turizëm të nivelit të lartë që sjell konsumatorët e mëdhenj sepse ata sjellin shumë më tepër para për ekonominë tonë. Çfarë sjellin 400 jahte është e barabartë me çfarë sjellin 40 mijë turistë low cost që të jemi qartë. Kjo vlen dhe për ata që thonë pse këta mbështesin jahtet. Ne nuk mbështesim jahtet, ne mbështesim ekonominë. Dhe prandaj duhet të krijohen portet turistike dhe Shqipëria të bëhet një vend që të sjellë sa më shumë jahte, sa më shumë anije të vogla turistike dhe sa më shumë turistë të cilët kur prekin tokën konsumojnë, personi 50 herë më shumë sesa njëri që vjen përmes tokës”, u shpreh Rama në një aktivitet dedikuar turizmit.
Një tjetër pikë ku u ndal kryeministri ishte edhe infrastruktura. Kreu i qeverisë theksoi se puna për Korridorin Blu është në rrugën e duhur. Sa i përket Tunelit të Llogarasë ai nënvizoi se puna është në një fazë shumë të avancuar.
Kryeministri paralajmëroi subjektet e shërbimeve se do të ngrihet një task forcë dhe do të miratohet një ligj për të mos pasur më gropa septike apo për të derdhur ujërat e zeza në det apo liqen.
“Nuk mundet dot që vitin e ardhshëm të kemi derdhje ujërash të zeza në det, as në Liqenin e Pogradecit. Në asnjë liqen. Si bëhet kjo? Kjo bëhet duke u thënë shumë qartë jo vetëm me fjalë, por edhe me një akt të menjëhershëm ligjor që po bëjmë gati dhe me një task forcë që po ngrihet të gjithë atyre që kanë hotele, restorante, kafene, pra njësi shërbimi që epoka e gropës septike mbaroi. Do investosh për depurimin e ujërave të tua të zeza. Jo të tuat, por të tuat bashkë me kolegët që vijnë të marrin shërbime tek ty se bashkarisht i çoni në gropë. Është bërë edhe studimi sa kushton. Nuk po them që t’u vëmë kufirin banorëve, familjeve për banesat, shtëpitë që kanë gropa septike sepse kjo do të ishte e padrejtë.
Ujërat e kristalta të Maldiveve të Europës nuk i ndotin ata që jetojnë dem baba dem në kodër dhe kanë një gropë septike, por i ndotin ata që në ballë hotelit i venë 5 yje dhe nga mbrapa i lëshojnë komunitetit mbetjet e yjeve”, tha Rama.
Thembra e Akilit, për kryeministrin Rama është shërbimi dhe krahu i kualifikuar i punës, të cilën e konsideroi një sfidë të përbashkët, ndërsa akuzoi bizneset për mos deklarim transparent.
“E di që pagat në industrinë turizmit janë rritur në mënyrë të ndjeshme, se kemi probleme të rritjes dhe nevojës për t’u rritur më shumë, por nuk mund të rriteni vetëm ju dhe shteti të mos rritet. E kemi vënë me bindje TVSH 6%, por nuk kemi marrë atë që na takon si shtet nga kjo TVSH. Në Shqipëri nuk ka pasur asnjë dhomë bosh, si shpjegohet që në deklarimet tuaja keni pasur dhoma bosh?”.
Rama i siguroi se vitin e ardhshëm shteti do të marrë atë që i takon.
“Vitin e ardhshëm do të kemi një pagë referencë, shteti do të marrë atë që i takon, nuk ka shanse që shteti të marrë nën atë që i takon. Deklarimi i çmimeve është jo transparent. Vitin e ardhshëm nuk do të pranojmë teorinë që kemi pasur dhoma bosh. Të gjitha të tjerat do t’i paguani sipas intensitetit të sezonit. Nuk ka shans më që të deklarohen çmime jo reale të njëjtën gjë si me ndërtuesit. Nevojat janë shumë më të mëdha për ju dhe ata që do të vijnë”.
Në fund kreu i qeverisë e përmbylli me nota optimizmi dhe tha se brenda kësaj dekade Shqipëria turistike do të shtrihet në të 12 muajt e vitit.
“Dhe për ta mbyllur me një notë të lartë optimizmi kam bindjen që ne vitin e ardhshëm do ta çojmë në shkallë tjetër turizmin në Shqipëri. Ne do të shtrijmë kohën e Shqipërisë turistike në të 12 muajt brenda kësaj dekade. Siç po bëjmë me bregdetin, atë do të bëjmë edhe me pjesën malore të Shqipërisë”.