Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, me anë të një postimi në Facebook, ka njoftuar se në vendin tonë është arritur shifra e 400 000 personave të vaksinuar ndaj Covid-19.
Ministria e Shëndetësisë garanton se procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar në të gjithë vendin.
Ajo që vihet re është se në ditët e fundit numri i personave që kryejnë injektimin në pikën e imunizimit masiv në sheshin “Sknderbej” ka rënë ndjeshëm. Qytetarët preferojnë më shumë të kryejnë vaksinën pranë qendrave shëndetësore.
Në vendin tonë kanë ardhur 703,550 vaksina anti-Covid, prej të cilave deri tani janë administruar 56% e tyre. Prej sasisë së dozave të ardhura, 500 mijë janë vaksina të kompanisë kineze Sinovac, 124,800 janë AstraZeneca, 68,750 janë doza të Pfizer. Ndërsa 10 mijë janë të vaksinës ruse “Sputnik V”.
Synimi i autoriteteve shëndetësore është që brenda muajit maj të marrin dozën e parë të vaksinës mbi 500 mijë qytetarë.