Ish-kryeministri më jetëgjatë i Shqipërisë, Mehmet Shehu, ishte një nga figurat më potenciale të sistemit diktatorial në Shqipëri, pasi drejtoi vendin për afro 30 vjet si kryeministër.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka sjellë sot në kujtesë një ndër datat më të mistershme të regjimit komunist gjatë viteve ’80, vetëvrasjen e Mehmet Shehut, nr. 2 i regjimit, pasuesin e Enver Hoxhës.
“Si sot, më datë 18 dhjetor 1981, Këshilli i Ministrave zhvilloi një mbledhje për vetëvrasjen e ish-kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehut.
Pas rreth 40 vjetësh nga kjo ndodhi, akti i vetëvrasjes së një prej figurave më të rëndësishme të politikës së kohës, potencialisht pasues i Enver Hoxhës, vijon ende të jetë burim polemikash. Sipas versionit zyrtar, në mbrëmjen e 17 dhjetorit të vitit 1981, Shehu kreu vetëvrasje, pas mbledhjes së Byrosë Politike, ku u kritikua ashpër prej diktatorit Hoxha dhe anëtarëve të tjerë të këtij organi.
“Byroja Politike u mblodh dje për të shqyrtuar autokritikën që kishte bërë dje dhe e shqyrtoi. Mbledhja do të vazhdonte sot. Në mbledhje, gjithë shokët që diskutuan nuk ishin të kënaqur dhe nuk e pranuan këtë autokritikë, megjithëse ishte 39 faqe, sepse ajo ishte krejt bajate, false, gjithë gënjeshtra, frazeologji dhe asgjë për shkaqet e vërteta politike dhe ideologjike që e shtynë të bënte një fejesë të tillë, një veprim të tillë oportunist dhe liberal. Mbas kritikave të drejta, parimore që iu bënë nga gjithë kohët e Byrosë Politike, anëtarë dhe kandidatë, iu kërkua që të reflektonte më thellë në shkaqet e këtij veprimi”, është zbardhur ndër të tjera nga fjala e Adil Çarçanit në procesverbalin e mbledhjes së mbajtur fill pas vetëvrasjes, më 18 dhjetor (dokumentet bashkëngjitur)”, shkruhet nga Arkivi.
Shkaku që e çoi Mehmet Shehun në shënjestrën e goditjes nga Enver Hoxha, ishte fejesa e të birit të tij, Skënderit, me Silva Turdiun, volejbolliste e njohur, por nga një familje që regjimi e konsideronte me njollë.
Fakte mbi gjyqin
17 dhjetor 1981 – Të gjithë anëtarët e Byrosë Politike kritikojnë dhe dënojnë me vendosmëri aktin e fejesës së djalit të Mehmetit me një vajzë që vinte nga një familje e papërshtatshme politikisht.
17 dhjetor 1981 – Rreth mbrëmjes, Mehmet Shehu kërkon të takojë Enver Hoxhën, por refuzohet nga ky i fundit me pretekstin se kishte njerëz për darkë.
17 dhjetor 1981 – Para mesnate, Mehmet Shehu futet në studion e tij për të shkruar autokritikën që do të mbante të nesërmen në Byronë Politike.
01:30 e mëngjesit të 18 dhjetorit 1981 – Mehmet Shehu ishte akoma zgjuar dhe duke shkruar autokritikën e tij në studio. Kjo sipas dëshmisë së djalit të tij.
18 dhjetor 1981 – Gjendet nga familjarët trupi i pajetë i Mehmet Shehut, sipas specialistëve të asaj kohe, ai ishte vetëvrarë në orët e para të mëngjesit me pistoletën e tij. 41 vite kanë kaluar nga vdekja e ish-kryeministrit dhe ende nuk është saktësuar nëse ishte një vetëvrasje apo një ekzekutim i tipit mafioz.