Bedrie Loka është 41-vjeçarja nga Durrësi e cila për shkak të bullizmit i ka dhënë fund jetës së saj më 2 janar duke pirë fotoksinë. Në një njoftim zyrtar për rastin, Policia e Durrësit thotë se Loka ka bërë një kallëzim në Dhjetor të vitit 2022 për një adresë false që ishte hapur në emrin e saj, materiale të cilat janë referuar në Prokurori.
“Në lidhje me një lajm të publikuar në media, për një shtetase që ka humbur jetën pasi dyshohet se ka konsumuar fotoksinë, për shkak të bullizmit, ju sqarojmë se: Më datë 02.01.2024, në orën 16:30, jemi njoftuar nga shërbimet e spitalit se shtetasja B. L., 41 vjeçe, që dyshohej se kishte konsumuar lëndë helmuese fotoksinë, edhe pse kishte marrë ndihmë mjekësore, nuk kishte mundur të jetonte. Drejtoria Vendore e Policisë Durrës ka kryer të gjitha veprimet me grup hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, dhe materialet janë referuar në Prokurori. Sqarojmë se në dhjetor të vitit 2022, shtetasja B. L. ka bërë kallëzim se në rrjetet sociale ishte hapur një adresë false me emrin e saj. Për kallzimin e bërë ne dhjetor 2022, Policia ka kryer të gjitha veprimet dhe i ka referuar materialet në Prokurori dhe çështja është në hetim në Prokurori. Pas këtij kallëzimi nuk ka patur asnjë kallëzim apo shqetësim nga shtetasja B. L, për këtë rast. Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti. Ndërkohë që vijojnë hetimet intensive për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve që kanë keqpërdorur të dhënat e shtetases B. L”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Ngjarja e rëndë u bë publike ditën e sotme. Dyshohet se gruaja bullizohej nga kolegët e saj në Tik Tok, dhe ky mund të ketë qenë shkaku që ajo është vetëhelmuar. Megjithatë pritet që grupi hetimor të zbardhë më shumë detaje.