43 mijë e 405 shqiptarë humbën vendin e punës gjatë vitit të pandemisë. Instituti i Statistikave Shqiptare raporton se pandemia ka krijuar një hendek të madh në tregun e punës, ndërsa dukuria e papunësisë është shtuar gjatë pjesës së fundit vitit pas një përmirësimi të lehtë që pati në periudhën e verës dhe të vjeshtës.
Shkalla e papunësisë ka arritur 11.8%, afër niveleve të kohës kur u bllokua aktiviteti ekonomik në fillim të vitit 2020 dhe numëroheshin 50 mijë persona që humbën punën.
Sektori i shërbimeve ka pësuar rënien më të madhe, me një tkurrje vjetore të shkallës së punësimit me normën 5.3%, ndërsa humbjet e punës në këtë degë të ekonomisë janë shtuar në pjesën e fundit të vitit 2020 për shkak të kufizimeve të orës së lëvizjeve dhe uljes së numrit të turistëve.
Industria ka një rënie me 0.5% të punësimit dhe bujqësia me 2.8%, por të dy këta sektorë raportohet të kenë nisur rikuperimin në fund të vitit që lamë pas. Papunësia ka goditur më shumë grupmoshat e reja dhe gjininë femërore, ndërsa meshkujt kanë patur peshën më të vogël në humbjen e vendeve të punës.
Pavarësisht uljes së punësimit, niveli i pagave në shkallë vendi u rrit me 2.7% krahasuar me vitin 2019, ku motorin kryesor të rritjes e mbajti administrata publike me një rritje mesatare në nivelin 1500 Lekë, ndërsa sektori privat pati një rritje mesatare me 670 Lekë, raporton Tv Klan.