Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë detaje në lidhje me zbulimin e laboratorit të kokainës në Fier.
Në një konferencë për shtyp, prokurori i SPAK, Adnan Xholi, i cili e ka ndjekur këtë çështje, deklaroi se ndër të tjera, janë sekuestruar 24 ton pleh artificial, brenda së cilës ekzistojnë dyshimet se përmban një sasi lëndë narkotike të llojit kokainë prej rreth 430 kilogram.
Ai u shpreh se kjo sasi është ngarkuar në një port të Kolumbisë në muajin maj të vitit 2022 nga një shtetas shqiptar, i cili në janar kishte hapur një aktivitet në Shqipëri, ndër të cilat ishte importi i plehrave kimike.
Sasia e plehut, brenda së cilës ishte fshehur kokaina, e cila ka një vlerë prej 40 milionë eurosh, u transportua nga Kolumbia fillimisht në portin e Pireut në Greqi, më pas në Portin e Barit në Itali, Mal të Zi dhe destinacion të fundit, Shqipërinë.
“Sipas informacioneve paraprake, ekzistonin të dhëna që në muajin maj 2022, në portin e Kolumbisë ishte ngarkuar një sasi me pleh organik artificial në një kontejner, me destinacion Pireun e Greqisë, tranzit për në portin e Barit, në Mal të Zi me porositës një shtetas shqiptar të Shqipërisë. Në kuadër të kërkesës për ndihmë nga Mali i Zi, është aplikuar metoda e posaçme e dorëzimit të kontrolluar dhe nga momenti që është regjistruar procedimi penal e në vijim, kanë vijuar të gjitha veprimet proceduriale nën mbikëqyrjen e GJKKO. Nga verifikimi që kanë bërë autoritetet shqiptare, rezulton që porositësi i mallit, ishte një shtetas shqiptar i cili në fillim të vitit 2022, kishte hapur një aktivitet në Shqipëri, ndër të cilat ishte importi i plehrave kimike dhe mallrave të tjera.
Pasi sasia me pleh është dërguar në territorin shqiptar në muajin shtator 2022, kanë vijuar sërish veprimet e zhdoganimit, veprimet ë transportit, zhvendosjes së ngarkesës në disa qytete dhe vende të ndryshme në Shqipëri, deri ditën e djeshme që është bërë kontrolli dhe sekuestrimi i kësaj sasie në territorin e Frakullës së Madhe në qytetin e Fierit.
Janë sekuestruar 15910 euro, 3 armë zjarri automatik kallashnikov, 3 armë zjarri të llojit pistoletë, 108 copë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 18 aparate celulare, 5 automjete, 2 laptop 2 armë gjahu 20 paleta me rreth 24 ton pleh artificial, brenda së cilës ekzistojnë dyshimet e arsyeshme bazuar në prova, se përmban një sasi lëndë narkotike të llojit kokainë prej rreth 430 kilogram, e cila referuar shitjes në tregun me pakicë, vlera e saj kap shifrën 40 milionë euro”, tha prokurori i SPAK, Adnan Xholi.
Ndërsa, drejtuesi i SPAK, Arben Kraja bëri të ditur se për hetimin e kësaj çështjeje, ka pasur një bashkëpunim shumë të ngushtë me shumë agjenci ligjzbatuese jashtë vendit.
“Ka pasur një bashkëpunim shumë të ngushtë me shumë agjenci ligjzbatuese jashtë vendit, por edhe me strukturat e zbatimit të ligjit në Malin e Zi. Hetimi ka qenë proaktiv dhe një veçori tjetër e këtij hetimi, është qëndrueshmëria e grupit që ka hetuar për t’i shkuar deri në fund zbulimit qoftë të autorëve, mekanizmit, organizatorëve”, nënvizoi ai.
RRUGA E TRAFIKUT
Nga hetimet ka rezultuar se nga ngarkesa e kokainës ishte porositur në Kolumbi në muajin Maj 2022. Kokaina ishte fshehur brenda thasëve me pleh kimik me peshë 24 ton. Më pas, “ngarkesa” me pleh kimik u nis nga Kolumbia në drejtim të Portit të Pireut në Greqi, dhe më pas me destinacion tranzit në Portin e Barit në Mal të Zi.
Në këtë port, pra në Mal të Zi, porosia është marrë nga një shqiptar me kamion. Prej këtej, thasët me pleh kimik që kamuflonin kokainën janë dërguar në një banesë në Farkë të Madhe në Fier.
Kjo banesë që shërbente si laborator i kokainës, është në pronësi të ish-kryetarit të Komunës së Frakullës, Viktor Çervanaku.
I gjithë itinerari dhe trafiku i kësaj ngarkese është mbajtur nën monitorim nga DEA amerikane dhe agjenci të tjera ligjzbatuese.
KOHËZGJATJA E TRANSPORTIT
Ngarkesa me kokainë e fshehur brenda thasëve me pleh kimik, u nis nga Kolumbia në Maj 2022 me konteiner me anije. Anija mbërriti në Portin e Pireut në Greqi në fillim të muajit Korrik 2022. Tre ditë më vonë, konteiner u nis sërish me anije drejt Malit të Zi, në Portin e Barit. Nga ky port, porosia u mor me kamion dhe u dërgua në Shqipëri në fillim të Shtatorit 2022. Ngarkesa e kokainës u sekuestrua më 24 nëntor 2022 në Fier.
Të arrestuarit janë:
1- Viktor Cervanaku – Drejtor Drejtorie në OSHEE
2- Zenel Cervanaku – administrator i një subjekti privat
3- Denilson Cervanaku
4- Enxhi Ferhati
5- Nikolin Gjolena
6- Klajdi Vrioni (Kodra)
7- Julian Malaj
8- Redion Meshi
9- Bledar Matoshi
10- Marildo Rona