Kryeministri Edi Rama është i pranishëm në konkursin ndërkombëtar në Shkodër, ku 5 studio europiane paraqesin ditën e sotme projekt-idetë për Rozafën e re. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka thënë se është një kënaqësi e jashtëzakonshme që një ngjarje e tillë kaq e madhe ndodh në Shkodër.
Më tej, gjatë fjalës së tij, Rama ka theksuar se me investimet që do të bëhen brenda kësaj dekade, distanca e Shkodrës me Tiranën do të jetë rreth 40-45 minuta, ndërsa me Vlorën rreth 2 orë.
Edi Rama: Është një kënaqësi të shohësh një ngjarje kaq të madhe që ndodh në Shkodër. Është një moment shumë i bukur që jemi sot këtu. Bashkë me brezin e ri të familjes. Ky konkurs ndërkombëtar është shumë i rëndësishëm, i pari i këtij lloji që bëhet në Shkodër. Në të vërtetë është edhe shprehje e ambicieve të reja për Shkodrën. Sjell një vizion, një pikë referimi dhe një destinacion turistik.
Ka një vlerë të veçantë dhe për faktin se marrin pjesë 5 studio ndërkombëtare me reputacion dhe nga ana tjetër sepse do të sjellë 5 mundësi, një ndër të cilat do të zgjidhet nga juria për të ndërtuar një objekt që nuk është thjesht një objekt privat, por është një objekt që ne synojmë të krijojmë një ikonë të këtij shekulli për Shkodrën, e cila është shumë e pasur me monumente, me gjurmë të historisë, ku çdo brez ka lënë gjurmën e vet dhe ku kjo ndërtesë do të jetë një gjurmë që do i shtohet kësaj trashëgimie të Shkodrës për brezat që vijnë.
Është pjesë e një vizioni shumë më të gjerë që kombinon investimet publike, të cilat për Shkodrën dhe për të gjithë këtë territor që shtrihet deri në kufirin me Malin e Zi po shtohen dita-ditës dhe duke konsideruar domosdoshmërinë e një lidhje shumë të shpejtë dhe të sigurtë të Shkodrës me veriun lart dhe me jugun, kryesore mbetet sfida për ndërtimin deri në Muriqan të Korridorit Blu, i cili e ka një segment të përfunduar në aksin Thumanë-Kashar. Do të vazhdojë me segmentet e tjera që do të lidhin Malldrenin me Milotin, Milotin me Muriqanin dhe pastaj Balldrenin me Thumanën.
Ne i kemi të qartë dhe hapat dhe një pjesë të rëndësishme të punës për projektet e kemi bërë dhe për pak ditë do të lidhen kontratat e reja për segmentet më poshtë nga Kashari në Rrogozhinë dhe nga Rrogozhina në Fier. Koha e lidhjes së Shkodrës me Tiranën brenda kësaj dekade do të jetë rreth 40-45 minuta. Koha e lidhjes së Shkodrës me jugun poshtë do të jetë sa është sot koha e lidhjes me Tiranën sot. Do të mund të shkohet në Vlorë për 2 orë dhe kështu me radhë dhe për projektet e tjera. Do të sfidohet dhe më shumë Pjerin Ndreu në Lezhë që përpiqet të kthejë Lezhën në një qendër më të rëndësishme se Shkodrën.
I pranishëm në këtë event është edhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, i cili ka thënë se shpreson se kjo godinë të vërë një gur të rëndësishëm në Shkodrën e së ardhmes.
Benet Beci: Ne jemi kureshtarë, jemi dhe pak dyshues. Dua shumë të kemi një ndërtim dinjitoz në qytetin tonë. Ne vlerësojmë praninë e arkitektëve të huaj në këtë proces. Kjo garë tregon rëndësinë që qyteti ynë ka duke tërhequr vëmendjen e arkitektëve të huaj, por edhe të kryeministrit. Gara ndërkombëtare është dëshmi e një mendje të hapur të investitorit. Dua të falenderoj “Rozafa Group” për këtë proces. Ne duam ta shohim qytetin tonë të zhvillohet dhe na pëlqen shpirti i garës, e kemi merak për të fituar kur i hyjmë garës, tashmë edhe në turizëm. Kam vetëm një dëshirë. Shpresoj që kjo garë ndërkombëtare t’i sjellë qytetit një të mirë të përbashkët, t’i dhurojë godinë dinjitoze dhe të vërë një gur të rëndësishëm në Shkodrës e së ardhmes.