8 shqiptarë u gjetën të fshehur në një kontenier në portin e Cork, në Ringaskiddy të Irlandës, pasi kishin mbërritur me një anije nga Spanja.
Ata janë të gjithë të rinj, të moshës 24 deri në 16 vjeç dhe u gjetën të fshehur mes paletave, në një kontenier që ndodhej në pjesën e pasme të një kamioni.
Mjeti kishte zbritur nga një traget i nisur nga Santander, në veri të Spanjës, rreth orës 5 të pasdites të së hënës.
Sipas mediave vendase, kjo është hera e dytë në katër javë që gjenden emigrantë të jashtëligjshëm të fshehur në kontenierë dhe që përdorin të njëjtën rrugë. Më herët gjatë këtij muaj, 4 persona të tjerë u gjetën në portin e Santander, në një kontenier që nuk ishte nisur ende.
Teksa rruga shkon më shumë se 26 orë, besohet se shqiptarët e ndaluar kishin qëndruar për të paktën 4 ditë në kontenier.
Menjëherë pas zbulimit të tyre, në port shkuan forcat e policisë, si dhe shërbimet e emergjencës. Të rinjtë shqiptarë u kontrolluan për gjendjen shëndetësore dhe nuk kishin probleme, përveç dehitratimit.
Më pas ata iu dorëzuan zyrtarëve të emigracionit. Autoritetet irlandeze mësohet deportuan 4 prej tyre, ndërsa 3 të tjerë mbeten në pritje të deportimit. Sa i përket shqiptarit më të vogël në moshë, për rastin e tij do të kryhen hetime të tjera.