Kryesore 5 orë rezistencë, RENEA ekzekuton 71-vjeçarin

5 orë rezistencë, RENEA ekzekuton 71-vjeçarin

Pas më shumë se 5 orësh, forcat speciale të RENEA-s kanë ekzekutuar 71-vjeçarin Lefter Zhidru në Elbasan, që qëndronte i ngujuar brenda banesës në katin e dytë të një pallati dhe qëllonte me armë ndaj policisë.

RENEA ndërhyri brenda apartamentit ku po qëndronte 71-vjeçari duke shpërthyer derën kryesore dhe më pas përdori gaz lotsjellës dhe tymyese. Gjatë ndërhyrjes së forcave speciale, 71-vjeçari qëlloi sërish me armë ndaj policisë duke rrezikuar jetën e efektivëve të RENEA-s. Këta të fundit u kundërpërgjigjën gjithashtu me armë, duke ekzekutuar në vend Lefter Zhidrun.

Situata e terrorit në lagjen “11 Nëntorit” të Elbasanit vijoi prej 5 orësh, pasi 71-vjeçari refuzonte të dorëzohej edhe pas thirrjeve të policisë. Ai vijoi rezistencën duke qëlluar disa herë me breshëri kallashnikovi, madje duke plagosur edhe dy kalimtarë, të cilët për fat të mirë janë jashtë rrezikut për jetën.

SI NISI NGJARJA

Rreth orës 13:00 u raportua për një konflikte në familje në lagjen “11 Nëntorit”. 71-vjeçari Lefter Zhidru kishte shkuar në banesën e ish-gruas dhe ishte konfliktuar me të. E pranishme brenda shtëpisë ka qenë edhe vajza 14-vjeçare e çiftit. Ish-gruaja e Lefter Zhidru njoftoi policinë, dhe sapo forcat “Shqiponja” shkuan në vendngjarje, 71-vjeçari nisi të qëllonte me armë ndaj tyre. Uniformat blu evakuuan menjëherë ish-gruan e të moshuarit dhe vajzën e tyre 14-vjeçare. Ndërsa Lefter Zhidru u ngujua brenda banesës dhe nisi të qëllonte me armë. Nga të shtënat u plagosën edhe dy kalimtarë, Abdenauer Kodraxhiu 21 vjeç dhe Ledjo Saraçi 22 vjeç, të dy jashtë rrezikut për jetën.