Pesë persona kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit Covid-19 në vendin tonë.
Viktimat janë një 56-vjeçar nga Durrësi, një 73-vjeçar nga Tirana, një 73-vjeçar dhe një 81-vjeçar nga Korça dhe një 75-vjeçar nga Lezha, të gjithë më sëmundje bashkëshoqëruese.
Ndërsa gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar të infektuar me Covid-19 154 persona, nga 870 testime që janë kryer.
Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 160 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 13 në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar.
Në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 38 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes. Ndërsa vijojnë të trajtohen edhe pacientë të dyshuar për COVID19, sipas protokolleve përkatëse.
Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini konfirmoi se 117 qytetarë të tjerë e kanë fituar betejën me COVID19 në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 4530 që nga fillimi i epidemisë.
Sipas saj, Tirana vijon të mbetet vatër e nxehtë e koronavirusit, ku nga 154 raste ditore të regjistruara, 94 prej tyre janë evidentuar në kryeqytet.