Pesë vatra zjarri janë aktive në vendin tonë, ku situata paraqitet problematike në Tropojë.
Zjarri vijon prej ditësh dhe për shuarjen e flakëve janë angazhuar 100 forca të Armatosura si edhe në ndihmë të tyre kanë shkuar edhe 3 helikopterët e KFOR bashkë me një ekip nga Kosova. Për fat të mirë, është bërë e mundur rrezikut për banesat e lagjes Hajdarmataj.
Po ashtu, vijon puna për shuarjen e zjarrit në fshatin Malecaj dhe fshatin Torovicë, në bashkinë Lezhë si edhe fshatin Hoten, Vau Dejës.
Gjithashtu është raportuar për zjarr edhe në vendgrumbullimin e mbetjeve të bashkisë Vlorë, për të cilin janë angazhuar kapacitetet në nivel qarku të mbështetura nga kapacitete të pushtetit qendror si dhe në një vatër zjarri në bashkinë Konispol, fshati Shalës. Kjo nuk është hera e parë që ndodh, pasi edhe më herët vendgrumbullimi i mbeturinave të Vlorës është përfshirë nga flakët, por nuk ka asnjë përgjegjës.
Sa i përket zjarreve të regjistruara një ditë më parë, 2 persona janë vënë në pranga. Mësohet se është arrestuar B. H., 60 vjeç, banues në fshatin Zigxhafaj, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në pronën e tij, për të djegur mbeturina, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë rrezikuar banesa në zonë, janë djegur sipërfaqe toke të mbjella me ullinj dhe pemë frutore, si dhe janë djegur sipërfaqe pyjore si edhe Z. S., 58 vjeç, banues në fshatin Sineballaj. Edhe ky i fundit dyshohet se ka ndezur zjarr në pronën e tij, për të djegur mbeturina, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke e mbjellë me ullinj.