Ministria e Shëndetësisë raportoi të premten 5 viktima dhe 104 raste të tjera me COVID-19 duke e rënduar më tej bilancin e pandemisë në vendin tonë.
Nuk e kanë fituar dot betejën në spitalin COVID-1 një 45-vjeçar nga Tirana pa sëmundje të tjera, një 64-vjeçar nga Tirana dhe një 68-vjeçare nga Pogradeci. Një 45-vjeçare nga Kruja pa sëmundje të tjera dhe një 77-vjeçar nga Tirana me sëmundje bashkëshoqëruese nuk kanë mundur të mbijetojnë në spitalin COVID2.
Megjithë rastet e shëruara në 24 orët e fundit, aktualisht në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 124 pacientë, 21 janë në terapi intensive dhe 11 pacientë janë të intubuar.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 60 raste në Tiranë, 9 në Fier, 8 në Krujë, 7 në Elbasan, nga 4 raste në Berat, Kukës, nga 2 raste në Korçë, Lezhë, Pogradec, Përmet, nga 1 rast në Shkodër, Ura Vajgurore, Malësi e Madhe, Klos.
“Ndaj i drejtohemi qytetarëve me një lutje, të vendosin detyrimisht maskën në ambiente të mbyllura për të minimizuar përhapjen e infeksionit, për të shmangur shtrimet në spital dhe për rrjedhojë edhe humbjet e jetës”, Genta Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik.